Maqedoni
Interpelancë ndaj ministrit të Bujqësisë, Nikollovski: Kolaps, arrogancë dhe korrupsion
10.06.2026 15:33
Replika dhe kundër-replika, në seancën e Kuvendit ku u shqyrtua interpelanca ndaj ministrit të Bujqësisë...

Replika dhe kundër-replika, në seancën e Kuvendit ku u shqyrtua interpelanca ndaj ministrit të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, të paraqitur nga LSDM-ja. Nga radhët e opozitës maqedonase u theksua se në vend të politikave për zhvillimin e bujqësisë, rritjes së subvencioneve dhe masave të reja mbështetëse për fermerët, për dy vjet ministri Tripunovski e ka çuar bujqësinë drejt kolapsit.
“Kudo që të shikojnë, bujqit shohin të njëjtën gjë: pak para në xhepat e tyre, mungesë besimi te institucionet dhe shumë arsye për t’u ndier të mashtruar. Pakënaqësinë e tyre nuk mund ta fshini përmes komenteve që ju japin; nuk ka asnjë koment pozitiv. Pjesën më të madhe të kohës suaj e shpenzoni pikërisht për këtë. Mandati juaj filloi me premtimin për shpëtimin e bujqësisë, por po përfundon si simbol i paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe skandaleve. Përgjegjësisë nuk mund t’i shmanget as Qeveria, e cila lejoi dy vjet menaxhim të dobët të këtyre institucioneve. Dy vjet gjatë të cilave ministrat dhe drejtorët nuk u morën me krijimin e masave dhe politikave për zhvillim, por me prodhimin e kallëzimeve boshe dhe të sajuara, me transferimin, pezullimin dhe degradimin e të gjithë profesionistëve. U krijuan masa korruptive për të cilat tashmë po zhvillohen procedura hetimore, si dhe u ushtrua presion dhe zhvatje ndaj prodhuesve, importuesve dhe përpunuesve.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Lupço Nikollovski.
Tripunovski: Trashëgova kaos institucional
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, akuzoi opozitën LSDM për keqqeverisje gjatë kohës sa ishin në pushtet, duke thënë se kanë lënë projekte të papërfunduara, sistem të dëmtuar dhe fermerë të zhgënjyer me besim të humbur në institucione.
“Kjo është vetëm një përpjekje e pasuksesshme për të fituar pikë politike dhe pikërisht ju, si ish-ministër i Bujqësisë, po flisni për një gjendje të cilën keni pasur mundësi ta përmirësoni për 7 vjet. Kur mora detyrën, trashëgova një gjendje kaotike, lëndë të pazgjidhura, kaos në institucione, probleme të grumbulluara, paga të papaguara në ndërmarrjet publike, subvencione të papaguara dhe ndjesinë se Ministria kishte shërbyer si propagandë politike në vend të mbështetjes reale për bujqësinë. Të kujtoj se rreth 1.600 të punësuar në NP “Pyjet Kombëtare” për 4 muaj nuk kishin marrë paga, ndërsa mbi 500 të punësuar në ShA “Ekonomia e Ujërave” nuk kishin marrë paga për 5 muaj; ju i latë ata në mëshirë të fatit, pa paga dhe pa sigurim shëndetësor.”, - theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Pasholli: Pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi
Me kritika për punën e ministrit të Bujqësisë edhe deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli, sipas së cilës, Tripunovski nuk po i realizon premtimet e dhëna para qytetarëve.
“Pushteti nuk është privilegj, por është përgjegjësi. Premtimet krijojnë obligime dhe besimi i qytetarëve duhet të ruhet vetëm kur fjalët shndërrohen në vepra.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli.
Interpelanca për ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është paraqitur nga grupi parlamentar i udhëhequr nga LSDM-ja, për shkak të dyshimeve serioze për korrupsion sistemik në këtë sektor, si dhe, siç thuhet, për shkak të pezullimit të programit IPARD 3. Deputetët e opozitës në interpelancë theksojnë gjithashtu se masat dhe politikat e miratuara kanë treguar rrezik për shpërndarje selektive dhe jo transparente të fondeve publike, të cilat, sipas tyre, shkojnë drejtpërdrejt në dëm të bujqve.
ARMEND MURSELI
