Maqedoni

Mucunski: Çështjet dypalëshe të mos pengojnë eurointegrimin

10.06.2026 15:47

Stabiliteti, siguria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe bashkëpunimi rajonal ishin në fokus të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme në Sofje...

Stabiliteti, siguria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe bashkëpunimi rajonal ishin në fokus të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme në Sofje, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Në takim, Maqedonia e Veriut riafirmoi se Korridoret 8 dhe 10 mbeten prioritete strategjike për vendin dhe rajonin. Në hapjen e Samitit nënpresidentja bullgare Ilijana Jotova tha se Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është shndërruar në një platformë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal.
 
“Për këto 30 vite arritëm që ta shndërrojmë SPBEJL-në në platformë kyçe për bashkëpunim rajonal, urë stabile drejt integrimit evropian, stabilizator politik dhe motor ndryshimi në kohën e transformimit të thellë në tërë rajonin. Reformën që e inicioi Bullgaria ishte një moment i ri në kohën e saj, ndryshim i paradigmës nga procese të udhëhequra nga jashtë drejt përgjegjësisë rajonale dhe udhëheqësi me theks Ballkanin Perëndimor.”, - deklaroi nënpresidentja bullgare, Ilijana Jotova.
 
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, përsëriti qëndrimin se integrimi evropian duhet të bazohet në meritë dhe progres, ndërsa çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese me Bashkimin Evropian.
 
“Është e nevojshme frymë e besimit, sepse për momentin duhet të jemi të sinqertë mes vete se ekziston një nivel i lartë mosbesimi nga të dyja palët. Ajo sipas meje fillon me një histeri nga e kaluara e drejtuar për krijimin e perceptimit negativ që ka lidhshmëri me shtetin tonë e cila njëkohësisht u zgjerua edhe në atmosferën e brendshme te ne. Ne jemi peng i një bllokade jo të drejtë dhe jo parimore në rrugën tonë evropiane dhe kjo është ajo që duhet t’ua sqarojmë kolegëve tanë në Bullgari. Askush nuk ka interes nga ajo që po ndodh, të dy shtetet pësojnë humbje ekonomike, humbin politikisht, humbin edhe qytetarët, popujt e të dyja vendeve kur krijohet një lloj i tillë mosbesimi.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Në samit po merr pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila pritet të zhvillojë takim bilateral me nënpresidenten bullgare Ilijana Jotova. Takimi vlerësohet i rëndësishëm në një periudhë kur marrëdhëniet Shkup-Sofje mbeten vendimtare për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Pas Bullgarisë, kryesimin e nismës rajonale do ta marrë Rumania. Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore mbetet një platformë e rëndësishme për dialog politik, bashkëpunim rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. 
 
FLORIJE KAMBERI