Ligji për përfaqësim në lexim të parë, Hasani: Të tërhiqet nga rendi i ditës

10.06.2026 16:09

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është vënë në lexim të parë....

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është vënë në lexim të parë në Kuvend. Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, kërkoi që pika për Ligjin për përfaqësim të drejtë të tërhiqet nga seanca, por propozimi i tij nuk arriti numrin e nevojshëm të votave. Sipas Hasanit, ky ligj duhet të jetë bazament kushtetues në Maqedoni, ndërkaq si propozim e quajti flluskë bore  pa përmbajtje.

“Ky ligj po sillet si një flluskë e zbrazët, si një ligj pa kokërr përmbajtje për t’i mbrojtur disa gjëra  që janë përmbajtësore, substanciale  në RMV, respektivisht përfaqësimin e drejtë në institucionet tona. Edhe, mendoj për momentin  ashtu si e kam parë, ky ligj është një flluskë bore, një copë letër e zbrazët dhe pa përmbajtje. I lutemi VLEN-it që mos ta duroni këtë përbuzje të cilën u janë duke ua bërë çdo moment VMRO-ja në Qeveri. Ky ligj si i tillë nuk guxon të kalojë  dhe ne do të mundohemi si BDI që ta ndalojmë progresin  e këtij ligji në çdo fazë në të cilën  do të mundemi.”, - theksoi deputeti i BDI-së, Ilir Hasani.

Ky propozim-ligj  procedohet me  procedurë të rregullt parlamentare, ndërkaq, sipas paralajmërimeve, para miratimit përfundimtar do të  organizohet edhe debat publik. Propozim-ligji insiston në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet shtetërore dhe institucionet publike.

Partitë opozitare shqiptare kritikojnë këtë zgjidhje ligjore, sepse konsiderojnë se nuk siguron mekanizma të qartë kontrolli për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Sipas tyre, kjo mund të ketë pasoja afatgjata dhe cenon një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Kushtetutës së vendit.

Por, partia shqiptare në pushtet, VLEN, e mbështet këtë propozim, duke theksuar se i njëjti për herë të parë e zgjidh me ligj çështjen  e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucione. Për miratimin e ligjit ka apeluar edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Para disa ditësh, në Komitetin për marrëdhënieve midis bashkësive u vendos që ligji në seancë plenare të votohet me badinter të vogël, që nënkupton shumicën e deputetëve të bashkësive joshumicë prezent në seancë, e jo badinter të madh, shumicën absolute të votave të deputetëve joshumicë. (Nermin Mulaki - Fejzullahu, TVM2)