BNjVL kërkon më shumë para, 10% e TVSh-së për komunat

11.06.2026 14:50

Financimi i qëndrueshëm i komunave, thellimi i decentralizimit...

Financimi i qëndrueshëm i komunave, thellimi i decentralizimit dhe Plani i ri Strategjik 2026 - 2030 janë në fokus të seancës së dytë të Asamblesë së Përgjithshme të BNjVL-së, deklaroi kryetari i BNjVL-së dhe i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Ai theksoi se në seancë do të shqyrtohen çështje kyçe që lidhen me funksionimin e vetëqeverisjes lokale, si dhe nismat e ardhshme të shoqatës. Sipas tij, sfida më e madhe mbetet financimi i pushtetit lokal.

“Kërkojmë të paktën 10 për qind të TVSh-së dhe 50 për qind të tatimit personal, sipas shembullit të komunave evropiane. Pa financim të parashikueshëm nuk mund të ketë decentralizim real.”, - deklaroi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjorgjievski.

Ai shtoi, se edhe pse gjatë dy viteve të fundit, komunat kanë marrë mbështetje të konsiderueshme nga Qeveria për projekte infrastrukturore, nevojitet një zgjidhje sistemore që do të sigurojë pavarësi financiare afatgjatë, si dhe pjesëmarrje më të madhe të pushtetit lokal në PBB.

Sa i përket decentralizimit, Gjorgjievski theksoi se BNjVL-ja tashmë po përgatit modele për marrjen e kompetencave në fushën e mbrojtjes sociale.

Si një nga fushat prioritare ai veçoi edhe mbrojtjen kundër zjarreve, duke njoftuar se mjetet për njësitë territoriale janë rritur, por se gjendja ende kërkon ndërhyrje serioze.

“Në prag të sezonit veror kemi formuar një shtab krize për koordinim më të mirë të pajisjeve dhe burimeve njerëzore në situata emergjente. Që nga fillimi i vitit në Brigadën e Mbrojtjes Kundër Zjarrit të Qytetit të Shkupit janë pranuar 20 zjarrfikës të rinj, ndërsa deri në fund të vitit do të pranohen edhe 20 të tjerë.”, - theksoi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjorgjievski.

Në seancë do të hapet edhe çështja e gjendjes në ndërmarrjet publike komunale, ku, siç theksoi ai, problemet kryesore janë borxhet, pajisjet dhe kapacitetet kadrovike. (Ersan Pajaziti, TVM2)