Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit, Antikorrupsioni shqyrton parregullsitë për IShP-në
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur me vetiniciativë lëndë për Institutin e Shëndetit Publik, me qëllim verifikimin e gjetjeve të Entit Shtetëror të Revizionit dhe vlerësimin e rreziqeve të mundshme për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, deklaroi se lënda është formuar pas publikimit të raportit të revizionit dhe se Komisioni do të analizojë në detaje të gjitha gjetjet e paraqitura. Sipas tij, nëse gjatë shqyrtimit konstatohen elemente të veprimit të paligjshëm, KShPK-ja do të iniciojë procedurat përkatëse para organeve kompetente.
“Lënda është formuar me vetiniciativë. KShPK-ja do t’i shqyrtojë pretendimet e paraqitura në raportin e revizionit. Njëkohësisht, do të kërkojmë informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria Publike për veprimet eventuale në kompetencë të tyre, si dhe për vërtetimin e gjendjes faktike. Nëse vlerësojmë se ekzistojnë elemente të caktuara të veprimeve joligjore, do të iniciojmë procedura adekuate para organeve kompetente.”, - deklaroi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
Në raportin e tij, Enti Shtetëror i Revizionit ka evidentuar një sërë parregullsish në funksionimin financiar të Institutit të Shëndetit Publik, përfshirë çështje që lidhen me furnizimet publike, menaxhimin e resurseve dhe kontrollin e brendshëm.
Revizorët kanë theksuar dobësi sistemore dhe rreziqe që mund të ndikojnë në ligjshmërinë dhe transparencën e punës së institucionit.
Pas publikimit të raportit, për zhvillimet në institucion ka reaguar edhe drejtoresha aktuale, e cila deklaroi se gjatë periudhës së udhëheqjes së mëparshme rreth 30 të punësuar kanë marrë paga për vite me radhë pa u paraqitur në vendin e punës, ndërsa persona të tjerë, kundrejt kompensimit financiar, i kanë evidentuar ata në sistemin e regjistrimit të prezencës. (Florije Kamberi, TVM2)
