Lindja e Mesme, SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme për ditën e dytë

11.06.2026 18:05

Lindja e Mesme është përsëri nën presion...

Lindja e Mesme është përsëri nën presion. Shtetet e Bashkuara nisën një raund të ri sulmesh ajrore ndaj Iranit këtë mëngjes, pasi presidenti Tramp paralajmëroi se Teherani do të paguante një çmim të lartë për ngecjen e negociatave për t'i dhënë fund përgjithmonë luftës.

"Presidenti Tramp është i përgatitur të kthehet dhe të luftojë nëse është e nevojshme, por ai i dha Iranit një dorë të hapur për të bërë këtë marrëveshje. Nëse na duhet të negociojmë me bomba, do të negociojmë me bomba dhe jemi shumë të mirë në këtë. Askush nuk është më i mirë në botë.", tha sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegset.

Në përgjigje, Irani nisi një seri sulmesh që synonin bazat ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike thanë se kishin qëlluar me raketa balistike një qendër komande amerikane në Jordani. Presidenti iranian Pezeshkian tha se Teherani nuk do t'i nënshtrohej presionit të ShBA-së.

"Çdo kërcënim i bërë nga Trampi u prit me një shuplakë të fortë nga ana jonë. Ne kemi vërtetuar se që nga 13 qershori 2025, u jemi përgjigjur në mënyrë proporcionale kërcënimeve. Ne i jemi përgjigjur me forcë më të madhe, më shumë intensitet dhe më shumë forcë", tha zëdhënës i Forcave të Armatosura të Iranit, Abolfazl Shekarci.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dënoi sulmet ajrore iraniane dhe tha se agresioni brutal iranian nuk krijon stabilitet dhe as nuk ndërton marrëdhënie.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, duke paralajmëruar se Lindja e Mesme po zhytet “gjithnjë e më thellë në krizë” dhe se pasojat shtrihen shumë përtej rajonit.