Reformat në Ligjin për armët, ndryshojnë rregullat për lejet dhe poligonet
Ndryshimi i tretë në projektligjin e ri për armët...

Ndryshimi i tretë në projektligjin e ri për armët, i cili është në përputhje me direktivën evropiane, është kufizimi në 10 copë armë me leje, përveç rasteve të qitësve sportivë aktivë që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
Ndihmësministri Jovan Alltanxhiev siguron se kjo nuk do të thotë sekuestrim i armëve për ata që i kanë marrë ato në mënyrë të ligjshme.
“Ata që posedojnë më shumë pjesë armësh, kanë një zgjedhje. Mund ta dorëzojnë tepricën, por gjithashtu mund ta mbajnë atë duke e regjistruar në lejen e koleksionistit.”, - deklaroi ndihmës ministri i Punëve të Brendshme, Jovan Alltanxhiev.
Ka pasur vërejtje për projektligjin edhe nga subjektet e prekura.
“Të gjitha kompanitë që tashmë veprojnë ligjshmërisht në treg do të duhet të riregjistrohen përsëri.”, - theksoi Pançe Popovski nga Grupacioni i Armëve në Odën Ekonomike.
“Ligjvënësi parashikon një punonjës sigurie, jashtë kushteve të përcaktuara, për të cilin në të njëjtën kohë parashihet të jetë edhe rojtar gjahu. Sipas rregullores ligjore pozitive, ai është ose punonjës i sigurisë private, ose rojtar gjahu.”, - u shpreh Verica Milevska Stefanovska nga Oda e Sigurimit Privat.
Pas 80 vitesh, MPB-ja humb kompetencën mbi poligonet e qitjes.
“Kushdo do të mundet që në hapësirat e bodrumeve, në skuta, garazhe, kasolle, hangarë apo salla të improvizojë poligone qitjeje për armë pneumatike si objekte publike.”, - theksoi detektivi, Vlladimir Pandovski.
Kërkesa ka edhe nga federatat.
“Ato që janë me të vërtetë armë të hyjnë në kategorinë B, ndërsa ajo që është më e dobët dhe përdoret për stërvitje, për sport dhe për trajnime, të jetë në kategorinë C.”, - deklaroi Mishell Mirçevski nga Federata e Qitjes e Maqedonisë së Veriut.
“Riregjistrimi 5-vjeçar i lejes për posedimin e armëve të gjuetisë të zbatohet me veprim të shtyrë, gjegjësisht nga dita e hyrjes në Bashkimin Evropian.”, - u shpreh Vllatko Aleksovski nga Federata e Gjuetisë.
Ligji i propozuar duhet të zëvendësojë plotësisht ligjin aktual, i cili është në fuqi që nga viti 2005. (Ersan Pajaziti, TVM2)
