Kumanovë, vetura të reja për postën e qytetit

12.06.2026 17:36

Gjatë ditës së sotme, nga menaxhmenti i Postave të RMV-së...

Gjatë ditës së sotme, nga menaxhmenti i Postave të RMV-së, e në prani të drejtorit gjeneral Orhan Kurtishi, u bë pranim-dorëzimi i gjashtë veturave të reja të dedikuara për Postën e njësisë rajonale të qytetit të Kumanovës. Kurtishi mes tjerash theksoi se për gjashtë vitet e kaluara nuk ka pasur asnjë lloj investimi rreth rikonstruimit të objektit, kurse 10 vite nuk është investuar sa i përket parkut të veturave.    

“Sot si menaxhment i Postës kemi vendosur që t’ia dhurojmë 6 vetura të reja, ku gjithsej do t’i kenë 10 me gjithë ato 4 që i kanë në përdorim dhe mendoj se do të ketë shërbime më efikase dhe më efektive, sa i përket shërbimeve postare për nevojat e postës.”, - theksoi drejtori i Postave të RMV-së, Orhan Kurtishi.

Drejtori gjeneral i Postave të RMV-së, Orhan Kurtishi, gjithashtu njoftoi edhe investime të tjera, sa i përket Postës së Kumanovës, me çka paralajmëroi investime infrastrukturore rreth objektit, me qëllim lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të rajonit të Kumanovës.

“Objekti, që gjendemi para tij, do të rinovohet komplet duke filluar nga dritaret e deri tek investimi i fundit dhe do ta kemi objektin e parë modern në RMV, e që për fat të mirë do të jetë e para në Kumanovë si projekt, shpresoj që edhe në vazhdim të japim kontributin për Kumanovën dhe kumanovarët, kur e dimë se kemi qenë të anashkaluar.”, - u shpreh drejtori i Postave të RMV-së, Orhan Kurtishi.

Ndryshe, sipas paralajmërimeve për investime në Postën rajonale të qytetit të Kumanovës, pritet që dukshëm të rritet edhe efikasitetit i punës e njëkohësisht edhe shërbimet ndaj qytetarëve të rajonit tonë. (Fatlum Aqifi, TVM2)