Rajon

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, KQZ në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve

13.06.2026 14:41

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga ana e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë...

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga ana e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, procesi i numërimit të votave është drejt fundit, pasi deri të shtunën janë numëruar 92.79% e votave, ose 2,497 nga gjithsej 2,691 vendvotime. Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 44.09% të votave, që përkthehen në 310,591 vota. Në vendin e dytë renditet PDK me 20.82%, ose 146,670 vota, ndërsa LDK pozicionohet e treta me 17.07%, respektivisht 120,257 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar deri tani 7.09% të votave, ose 49,939 vota.
 
“KQZ është në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve, dhe gjatë ditës së sotme e shtunë, është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve, të cilat i takojnë votimit në përfaqësitë diplomatike, ndërsa pritet përfundimi i numërimit të të gjitha vendvotimeve në Qendrën Komunale të numërimit në Prishtinë, që shënon njëkohësisht përfundimin e këtij procesit në të gjitha komunat e vendit.”, u shpreh Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
 
Elezi po ashtu bëri të ditur edhe fletëvotimet të cilat akoma nuk janë numëruar.
 
“Kanë mbetur të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, fletëvotimet nga votimi me kusht, i mundësuar në 52 vendvotime, si dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.”, tha Elezi.
 
Sipas përllogaritjeve të KQZ-së mbi rezultatet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 50 ulëse në Kuvend, PDK 23 ulëse, LDK 19 ulëse, ndërsa AAK 8 ulëse. Procesi i numërimit vijon, ndërsa rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht pas përfundimit të plotë të tabelimit në të gjitha vendvotimet.
 
FITIM KRYEZIU