Maqedoni
Eurointegrimi, Siljanovska: Evropianizim pa konteste dypalëshe
13.06.2026 15:33
Maqedonia duhet të përqendrohet në kriteret e Kopenhagës, sundimin e së drejtës dhe standardet evropiane...

Maqedonia duhet të përqendrohet në kriteret e Kopenhagës, sundimin e së drejtës dhe standardet evropiane, në vend që të humbasë kohë me çështje historike, ka deklaruar presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në një intervistë për Agjencinë shtetërore të Lajmeve “MIA. Sipas saj, ndryshimi i Kushtetutës nuk është problem, pasi ajo është ndryshuar 36 herë. “Na lini të evropianizohemi gjatë rrugës, që të bëhemi kompatibil me atë që kërkojnë kriteret e Kopenhagës. Pa humbur kohë me çështje historike.”, thotë presidentja e Republikës.
“Neni 2 i Marrëveshjes për BE-në bën thirrje për respekt për dinjitetin, lirinë, barazinë, demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave. Kjo është diçka që lidhet drejtpërdrejt me Kriteret e Kopenhagës të vitit '93. Në këtë nen referohet neni 49 nga Marrëveshja e BE-së kur thotë se përmbushja e tyre është kusht, dhe jo vetëm një kusht politik, por edhe një kusht ligjor për anëtarësim.”, ka deklaruar Siljanovka, duke thënë se më e rëndësishme dhe më relevante sipas saj, është neni 4, paragrafi 2, "diçka që ne në të drejtën kushtetuese e quhet klauzolë e identitetit kombëtar”, sepse sipas saj, thotë qartë se Unioni do të respektojë barazinë e të gjithë anëtareve, jo vetëm të atyre brenda, por edhe të atyre që duan të anëtarësohen.
Siljanovska: Historia, pjesë e identitetit
"Pse? Sepse ka të bëjë me identitetin kombëtar, identitetin kulturor dhe, më e rëndësishmja, me atë që është e natyrshme në strukturat fondamentale politike dhe kushtetuese të shtetit. Pra, BE-ja do t'i respektojë strukturat kushtetuese dhe politike. Ndërsa këtu është edhe logjika e grupit tjetër të shteteve, të cilat thonë se kjo vlen vetëm për anëtaret që janë brenda në BE. Është absurde që nuk duhet t'i plotësoni këto kritere kur aplikoni, por pasi të anëtarësoheni... atëherë duhet,”, u shpreh Siljanovska.
Lidhur me pyetjen për mesazhin e saj nga Bullgaria, ku mori pjesë në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të PBEJL-së, se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës ajo u përgjigj se nuk mundet konstitucionalizmi evropian të mbijetojë nëse nuk respekton vlerat e veta.
REXHEP QAMILI
