Maqedoni

Kumanovë, rritet numri i të prekurve nga virozat

14.06.2026 14:00

Si zakonisht gjatë kësaj periudhe të vitit për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe temperaturave jo konstante...

Si zakonisht gjatë kësaj periudhe të vitit për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe temperaturave jo konstante, në rajonin e Kumanovës po rritet numri i të prekurve nga viroza të ndryshme. Nga ambulancat e këtushme njoftojnë për rritje të vazhdueshme të virozave ku dominojnë ato të stomakut, ndër simptomat qytetarët përmendin temperaturat e larta, të vjella, shtrëngime në stomak, dijare e të tjera.
        
Më të prekurit janë fëmijët dhe personat me imunitet të dobët. Për shkak të komplikimit dhe dehidrimit mjekët rekomandojnë që të mos praktikojnë terapi kokë më vete por të kërkojnë ndihmë nga mjekët.
 
“Me ndryshimin e temperaturave gjithnjë e më tepër paraqiten pacientë me shtrëngime në stomak, vjellje, temperatura të larta dhe dijare. Gjithashtu ndryshimi i temperaturave ndikon tek kualiteti i ushqimit për çka kemi edhe shtrëngime në stomak të cilat shkaktohen nga viruse, baktere ose parazitë. Kemi të evidentuar rreth 30% të pacientëve me simptoma të këtilla. Një pjesë të pacientëve i orientojmë në repartin e sëmundjeve infektive.”, theksoi Dr. Darko Karanfillovski.
 
Gjithashtu rekomandohet që me qëllim të shmangies së virozave qytetarë të kujdesen për higjienën, vazhdimisht t’i pastrojnë duart e sidomos gjatë kontakteve të ndryshme, transportin urban e të tjera.
 
FATLUM AQIFI