Maqedoni
IN MEMORIAM
15.06.2026 11:30
Ka ndërruar jetë profesori i njohur universitar, Dr. Murat Murati...

Ka ndërruar jetë profesori i njohur universitar, Dr. Murat Murati, një emër i respektuar në fushën e shkencave biologjike dhe botanikës.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët njoftuan se lamtumira e fundit do t’i jepet të hënën në qytetin e Strugës në orën 14:00.
Dr. Murat Murati pas përfundimit të shkollës fillore vazhdoi shkollimin në Normalen e Shkupit. Fillimisht punoi si mësues në Zajaz, ndërsa më pas vijoi studimet në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku u diplomua me sukses në drejtimin e Biologjisë. Pas diplomimit u punësua si profesor në Normalen e Shkupit. Karrierën akademike e zhvilloi më tej në Universitetin e Zagrebit, ku përfundoi me sukses studimet pasuniversitare, duke marrë gradën e magjistrit dhe më vonë doktoraturën në shkencat biologjike, në degën e botanikës. Ai u bë një ndër lihenologët më eminentë në Ballkan dhe më gjerë.
Me ndarjen e tij nga jeta, komuniteti akademik humbi një profesor, studiues dhe pedagog të shquar, i cili la gjurmë të rëndësishme në fushën e biologjisë dhe botanikës.
