Maqedoni

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ekspertët dhe partitë me qëndrime të ndara

15.06.2026 15:45

Profesorë universitarë dhe ekspertë juridikë paraqitën argumente pro dhe kundër zgjidhjes ligjore për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat....

Në kuadër të Komisionit për Sistem Politik, profesorë universitarë dhe ekspertë juridikë paraqitën argumente pro dhe kundër zgjidhjes ligjore për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Profesori universitar Jeton Shasivari vlerësoi se ligji e përkufizon qartë përfaqësimin adekuat, duke u bazuar në të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe synon të parandalojë manipulimet me identitetin etnik që, sipas tij, kanë ndodhur në të kaluarën përmes mekanizmit të njohur si “balancues”. Shasivari theksoi se zgjidhja ligjore lidh përfaqësimin e drejtë me sistemin e meritës, duke garantuar trajtim dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ai nënvizoi se ligji siguron edhe të drejtën për mjet juridik efektiv përmes ankesave dhe padive, në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e një procesi të drejtë.

“Ligji rregullon respektimin, afirmimin, promovimin dhe monitorimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike që nënkupton ngritjen e statusit të këtij parimi kushtetues, sepse duke e përkufizuar me ligj përfaqësimin si një vlerë themelore e trendit kushtetues. Garantohet e drejta për mjet juridik efektiv, pra nëpërmjet ankesës dhe padisë, duke i respektuar këtu standardet e një procesi të drejtë.”, - deklaroi profesori universitar, Jeton Shasivari.
 
Në anën tjetër, magjistri i së drejtës penale, Agron Demiri, shprehu rezerva serioze ndaj përmbajtjes së ligjit. Ai vlerësoi se propozimi aktual ka mangësi të konsiderueshme dhe nuk reflekton plotësisht frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
 
“Pres që në fazën e ardhshme të ketë hapësirë për përmirësime thelbësore të ligjit, transparencë më të madhe, mekanizma më të fort kontrolli që zgjidhja që vërtet do të sigurojë përfaqësim të drejtë në interes të të gjithë qytetarëve. Qëllimi ynë nuk është bllokimi i procesit, qëllimi ynë është ligj më i mirë, një ligj që do të forcojë besimin ndërmjet komuniteteve do t’i përmirësojë institucionet dhe do të jetë në përputhje me standardet demokratike evropiane.”, - theksoi juristi, Agron Demiri. 
 
Qëndrime të ndryshme u dëgjuan edhe nga partitë politike në pushtet dhe opozitë. U paralajmëruan amendamente dhe ndryshime të mundshme në tekstin e ligjit.
 
“Ne bashkërisht me deputetët e opozitës do të parashohim dhe do të hartojmë një strategji rreth gjithë mundësive për t’i paraqitur amendamentet të cilat do t’i përpilojmë në konsultim edhe me ekspertët, të cilët janë njohës të mirë të problematikës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por sigurisht se do të parashohim dhe mekanizmin e sanksionimit apo gjobimit të institucioneve të cilat nuk do ta respektojnë këtë ligj.”, - u shpreh deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijat Shaqiri.
 
“Do të ketë masa ndëshkuese. Për këtë duhet të elaborojë trupi koordinues se çfarë masa konkretisht. D.m.th. atë që e përmenda pak më parë ishte edhe shkarkimi i udhëheqësve të institucioneve përkatëse, të cilat nuk do ta zbatojnë ligjin.”, - deklaroi deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri.
 
“Unë po e them qëndrimin tim personal si deputet i LSDM-së që këtë ligj në këtë formë nuk do ta votoj. As si deputet për badinter, as me shumicë të thjeshtë, sepse mendoj se derisa nuk ka mekanizëm mbrojtës që do të thotë mekanizmin, që do të sigurojë po meritokraci dhe përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësi për komunitetet joshumicë, që mos të jetë diskriminues. Mendoj se ligji nuk është i mjaftueshëm.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
 
Ndryshe, Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në seancën e 4 qershorit votoi që ligji të miratohet me të ashtuquajturin “Badinter i vogël”, përkatësisht me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe shumicën e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë. Ndërkohë, deputetët e Lidhjes Shqiptare e udhëhequr nga Ziadin Sela kanë dorëzuar gjithashtu një propozim-ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe kanë bërë të ditur se nuk e mbështesin zgjidhjen ligjore të propozuar nga Qeveria.
 
FLORIJE KAMBERI