Maqedoni
Integrimi në BE, përplasen VMRO-DPMNE dhe LSDM
15.06.2026 16:36
Bashkimi Evropian ka hapur zyrtarisht negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë...

Bashkimi Evropian ka hapur zyrtarisht negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë përmes hapjes së grupit të parë të kapitujve, duke shënuar fillimin formal të procesit të anëtarësimit për këto dy vende. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut mbetet ende në pritje të hapjes së negociatave, pasi procesi kushtëzohet me realizimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat aktualisht nuk kanë mbështetje të plotë politike në vend. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk është e habitshme që Ukraina dhe Moldavia po avancojnë në proces, duke theksuar se në këto vende ekziston konsensus politik mes pozitës dhe opozitës, ndryshe nga situata në Maqedoninë e Veriut.
“Ku është dallimi mes këtyre dy vendeve dhe Maqedonisë?! Është tek ajo se në këto dy vende opozita nuk punon kundër Qeverisë së vendit të tyre dhe të qytetarëve dhe nuk punon për interesat e qeverive tjera, të cilat kanë interesa të këqija për atë vend, që është shembulli i vendit tonë. Tek ne kishim një Qeveri, e cila ishte e gatshme të nënshkruajë në një fletë të bardhë, gjithçka vetëm të mbetet në Qeveri, por qytetarët e njohën këtë, dhe i dënuan. Por, e jona është tani të punojmë dhe ta fitojmë atë që e meritojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare. Sipas tyre, është skandaloze dhe hipokrite ta akuzosh opozitën, kur dihet se topi i vendimmarrjes është tek shumica aktuale.
“Hristijan Mickoski sot u përpoq të fshihej pas Ukrainës dhe Moldavisë dhe të akuzonte opozitën maqedonase se po punon kundër vendit të vet. Kjo nuk është vetëm skandaloze, por edhe jashtëzakonisht hipokrite. Së pari, Mickoski nuk dëshiron që Maqedonia të bashkohet me Bashkimin Evropian. Ai e mban vendin të izoluar me vetëdije, sepse e di se rruga e vërtetë evropiane do të thotë fundi për strukturën e tij kriminale që ka marrë kontrollin e vendit. Kjo është arsyeja pse ai tani po sulmon opozitën - për të mbuluar dështimin e tij dhe mungesën e ndonjë plani për rrugën evropiane. Opozita po punon kundër një politike që e mban Maqedoninë jashtë Evropës.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
FITIM KRYEZIU
