Botë
Samiti G7, Ukraina në fokus pas sulmeve të reja ruse
15.06.2026 16:55
Situata në Gjirin Persik dhe lufta në Ukrainë janë në fokus të samitit të G7 që po mbahet në qytetin francez Evian....

Situata në Gjirin Persik dhe lufta në Ukrainë janë në fokus të samitit të G7 që po mbahet në qytetin francez Evian. Samiti zhvillohet në një kohë kur Bashkimi Evropian po hap negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, e cila mbetet një nga temat kryesore pas sulmeve ajrore ruse gjatë natës ndaj Kievit dhe Harkivit.
“Do të shënojmë hapin e parë të madh për Ukrainën dhe Moldavinë që nga marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2023. Më në fund do të mund të hapim një kapitull negociues për të dyja vendet. Pse? Sepse ato i kanë përmbushur detyrimet e tyre. Ishte koha që edhe ne të vepronim. Nëse ato kanë bërë pjesën e tyre, duhet ta bëjmë edhe ne tonën. Prandaj, pres që në korrik të hapim edhe pesë grupkapitujt e mbetur. Ky është një lajm i mirë.”, - deklaroi komisionarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, vlerësoi se sulmet ajrore ruse ndaj Ukrainës, ku u godit edhe një manastir i UNESCO-s, përbëjnë krim lufte. Sulmet lanë viktima dhe të plagosur.
“Mbrëmë pamë sërish sulme të intensifikuara ndaj civilëve, si dhe ndaj një vendi të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Këto janë krime lufte që po kryen Rusia. Sot po vijmë edhe me masa të reja, përfshirë sanksione shtesë ndaj kompleksit ushtarako-industrial rus dhe ndaj të ashtuquajturës ‘flotë në hije’. Gjithashtu, mirëpres lajmin për ndërhyrjen e Britanisë së Madhe kundër kësaj flote.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan biseda të ndara telefonike me Donald Tramp për zgjidhje të mundshme diplomatike.
“Patëm një bisedë shumë të mirë dhe të detajuar me presidentin amerikan Tramp për luftën, mundësitë diplomatike dhe mbështetjen për Ukrainën. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimet në samitin e ardhshëm të G7.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Trampi theksoi nevojën për ndërprerjen e armiqësive në Ukrainë dhe shprehu gatishmërinë për të ndikuar te partnerët evropianë dhe Kievi në këtë drejtim. Sulmet e fundit ndaj objektivave civile e vështirësojnë situatën.”, - theksoi këshilltari për Politikën e Jashtme në Kremlin, Jurij Ushakov.
Samiti i G7 do të zgjasë deri më 17 qershor, ndërsa përfundimet e tij mund të kenë ndikim të rëndësishëm në nismat e ardhshme diplomatike që lidhen me Ukrainën, Iranin dhe stabilitetin ekonomik global.
ARMEND MURSELI
