Maqedoni

Djegia e dy veturave para Ambasadës bullgare, Qeveria dhe MPJ e RMV-së e dënojnë aktin

15.06.2026 18:45

Dy veturave të Ambasadës bullgare në Shkup janë kapluar nga zjarri pasi u është hedhur lëndë djegëse e më pas edhe koktel molotovi....

Dy veturave të Ambasadës bullgare në Shkup janë kapluar nga zjarri pasi u është hedhur lëndë djegëse e më pas edhe koktel molotovi. Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë kanë konfirmuar se dy automjetet e dëmtuara janë në pronësi të Ambasadës Bullgare dhe se rasti është raportuar në orën 12:13 të ditës së hënë. Sipas policisë, në vendngjarje është konstatuar se pjesërisht janë djegur një automjet i tipit “Kia” dhe një automjet i tipit “Suzuki”. Nga zjarri nuk ka persona të lënduar, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit. 
 
Pas informacioneve për djegien e automjeteve diplomatike, kanë reaguar Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut. Qeveria e cilësoi ngjarjen si një akt vandal dhe të papranueshëm, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe efikas nga institucionet kompetente.  
 
“Veprime të tilla paraqesin sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të ndodhin në një shtet demokratik. Institucionet kompetente tashmë po ndërmarrin masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve. Si Qeveri, duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përpjekje për të shkaktuar tensione, për të përhapur urrejtje apo për të cenuar sigurinë do të sanksionohet me masat më të rrepta.”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë. 
 
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër incidentin, duke shprehur pritjen që organet kompetente të zhvillojnë një hetim të shpejtë, efikas dhe transparent dhe të përcaktojnë përgjegjësinë për ngjarjen. Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi një bisedë telefonike me ministren e Punëve të Jashtme Bullgare, Velislava Petrova-Çamova. 
 
“Me këtë rast, ministri informoi se institucionet kompetente tashmë po ndërmarrin masat e duhura për zbardhjen e plotë të rastit, përcaktimin e të gjitha rrethanave dhe nxjerrjen e autorit para drejtësisë. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i jep mbështetje të plotë institucioneve kompetente në drejtim të një hetimi të shpejtë, efikas dhe transparent, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë dhe sanksionimin përkatës të autorit.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. 
 
MPJ e Bullgarisë: Sulm ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve 
 
Ndërsa në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, duke e dënuar ashpër djegien e dy automjeteve në pronësi të Ambasadës Bullgare në Shkup, vlerësojnë se bëhet fjalë për një “akt demonstrativ agresioni që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e punonjësve të misionit diplomatik”.
 
“Ky sulm i fundit ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve është rezultat i një gjuhe agresive politike që nxit urrejtje dhe i mungesës së reagimit të duhur nga institucionet në raste të ngjashme të mëparshme, të cilat krijojnë ndjenjën e pandëshkueshmërisë për autorët. Kujtojmë se pas djegies së fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të Klubit Kulturor Bullgar në qytetin e Manastirit, në vend që të merrte dënimin e duhur, autori u heroizua dhe u përfshi në një fushatë politike zgjedhore.”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, nga e cila kërkohet zhvillimi i një hetimi të shpejtë dhe të paanshëm lidhur me incidentin. 
 
Nga Sofja zyrtare shtojnë se shteti bullgar do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat e vendosur për t’iu kundërvënë përpjekjeve për krijimin e një atmosfere frike për bullgarët në Maqedoni.