Botë

Marrëveshja ShBA – Iran, verifikimi bërthamor, kusht për sanksionet

16.06.2026 14:28

Qëllimi kryesor i ShBA-së është që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore...

Përpara nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes mes ShBA-së dhe Iranit këtë të premte, Uashingtoni njofton se përmbajtja e saj mund të publikohet edhe më herët. Qëllimi kryesor i ShBA-së është që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore, përmes një sistemi verifikimi dhe mbikëqyrjeje afatgjate të programit, ndërsa heqja e sanksioneve do të varet nga përmbushja e detyrimeve nga Teherani.
 
“Irani nuk do të zhvillojë apo sigurojë kurrë armë bërthamore. Marrëveshja është ndërtuar mbi një sistem verifikimi, ku përfitimet për Teheranin varen nga përmbushja e detyrimeve. Kjo përfshin qasje në lehtësime ekonomike, por vetëm nëse plotësohen kushtet.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, Xhejms Dejvid Vanc. 
 
Izraeli mbetet në qëndrimin se Irani nuk do të ketë armë bërthamore dhe njofton se do të vazhdojë të mbajë zonën e sigurisë në Liban për sa kohë që tensionet me Hezbollahun mbeten të larta.
 
“Me ose pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Jo sot, jo nesër. Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Teherani konfirmoi se pas nënshkrimit do të nisë një raund i ri bisedimesh për një marrëveshje përfundimtare mbi çështjet bërthamore dhe sanksionet. Për Iranin mbetet thelbësore që përfundimi i luftës të nënkuptojë edhe fundin e pranisë izraelite në Liban. Ata theksuan se ShBA-ja duhet ta respektojë plotësisht memorandumin, duke mbajtur përgjegjësi edhe për shkeljet e mundshme nga aleatët në rajon.
 
“Nënshkrimi zyrtar do të mbahet së shpejti dhe më pas do të fillojë një raund i ri negociatash mes Iranit dhe ShBA-së për një marrëveshje përfundimtare. Në atë marrëveshje do të vendoset për çështjet bërthamore dhe për heqjen e sanksioneve.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abas Aragçi. 
 
Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, Irani deklaron se nuk do të vendosë tarifa për lundrimin, por mund të aplikojë pagesa për shërbimet detare.
 
“Gjithmonë kemi thënë se nuk jemi për vendosjen e tarifave të kalimit, por në këmbim të shërbimeve që do të ofrojmë, do të përcaktohen dhe do të mblidhen kostot e nevojshme.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i Iranit, Esmail Baghaei.
 
BE-ja mbetet në qëndrimin se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur pa tarifa shtesë.
 
“Megjithëse detajet mbi përfshirjen dhe afatet ende nuk janë publikuar, një gjë është e qartë: që çdo marrëveshje të jetë e qëndrueshme, ajo duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe zbatimi i saj duhet të verifikohet. Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe pa tarifa.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas. 
 
Ndërkohë, presidenti amerikan Tramp po merr pjesë në samitin e G7-ës në Francë, ku po zhvillohet një sesion i posaçëm për Iranin me pjesëmarrjen e Egjiptit, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Priten diskutime për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe memorandumin mes ShBA-së dhe Iranit. 
 
ARMEND MURSELI