Maqedoni

Debat publik, Ligji për shërbimet gjyqësore dhe prokuroriale

16.06.2026 16:06

Në Kuvendu u mbajt debat publik për propozim-ligjet për shërbimin gjyqësor dhe atë prokurorial....

Ligji për shërbime gjyqësore dhe Ligji për shërbime të prokurorisë në debat publik në Komisionin Kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive ku institucionet, propozuesi i ligjit, sindikata dhe ekspertë shpalosën propozimet dhe vërejtjet e tyre. Nga Ministria e Drejtësisë theksuan se zgjidhjet e propozuara janë hartuar në koordinim të vazhdueshëm me institucionet kompetente duke përfshirë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për të garantuar zgjidhje cilësore, të zbatueshme dhe financiarisht të qëndrueshme. Ndërkohë shërbimet gjyqësore dhe ato të Prokurorisë Publike shprehën pakënaqësi për propozim-ligjin e ri duke vlerësuar se ai nuk i përmbush pritjet dhe nuk sjell reforma thelbësore për forcimin e autonomisë dhe zhvillimit profesional të shërbimit. 
 
“Për herë të parë po vendoset rregullim i tërë sistematik të të drejtave, obligimeve dhe zhvillimi në karrierat e të punësuarve në shërbimet gjyqësore. Në ligjin aktual thuhet se shërbimet nëpunësit gjyqësorë janë me status të nëpunësve administrativë. Ky propozim-ligj e vërteton pozitën e tyre si nëpunës shtetëror të veçantë në suaza të pushtetit gjyqësor.”, - deklaroi Katerina Geçev nga Ministria e Drejtësisë.
 
“Për ekzistimin e një shërbimi profesional gjyqësor është e nevojshme të plotësohen kushte. Një nga ato kushte është një kornizë e mirë ligjore, e cila në mënyrë të drejtë dhe ligjore do të vlerësojë punën e shërbimeve gjyqësore. Ky propozim-ligj nuk është kornizë e mirë ligjore.”, - theksoi Hristina Pallçevska nga Gjykata Civile.
 
“Gjykatat janë të pavarura dhe të mëvetësishme, që nënkupton se në gjykata hyjnë gjykatësit dhe shërbimet gjyqësore. Unë nuk e di se si këtu duhet të përzihet një administratë dhe cilat janë ato ligje të tjera. Sinqerisht nuk e kuptoj. Shërbimet gjyqësore janë ato që e mbajnë gjyqësorin, ata i ndihmojnë gjykatësit. Gjykatësit nuk do të mund ta bënin punën e tyre nëse efikasiteti nuk rrjedh nga shërbimet gjyqësore.”, - u shpreh Lubica Petkovska Stojçevska nga Sindikata e pavarur në Gjykatën Administrative.
 
“Shpesh edhe nga kjo foltore dëgjojmë se angazhoheni për pavarësinë e gjyqësorit, përfshirë edhe Prokurorinë Publike. Por, pavarësia nuk është vetëm çështje e prokurorëve. Pavarësia është edhe çështje e institucionit në tërësi. Nëse dëshironi një prokurori të fortë, duhet të ndihmoni në ndërtimin e një shërbimi prokurorial të fortë, profesional dhe të motivuar. Në të kundërtën, reforma do të mbetet e papërfunduar.”, - deklaroi nënkryetarja e Organizatës Sindikale e Prokurorive Publike, Maja Petrova. 
 
Sipas propozuesit, propozim-ligjet synojnë përmirësimin e statusit të nëpunësve gjyqësorë dhe prokurorialë, krijimin e një sistemi më efikas për punësim dhe avancim, forcimin e profesionalizmit dhe pavarësisë së shërbimeve, si dhe sigurimin e kushteve më të mira të punës dhe zhvillimit në karrierë.
 
FLORIJE KAMBERI