Botë
Kos: Qeveria shqiptare ka dhënë garanci për Zvërnecin
16.06.2026 16:31
Derisa në Shqipëri prej disa ditësh vazhdojnë protestat për Zvërnecin, me kërkesën e protestuesve edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama...

Në Shqipëri prej disa ditësh vazhdojnë protestat për Zvërnecin me kërkesën e protestuesve edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Lidhur me këtë çështje është prononcuar edhe Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos. Ajo ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Rama dhe Qeverinë dhe ka marrë garanci se projekti për Zvërnecin do të zbatojë me rigorozitet kuadrin ligjor të BE-së në lidhje me zonat e mbrojtura dhe kujdesin ndaj mjedisit.
“Shqipëria është një ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky progres është i vlefshëm, i njohur dhe duhet të mbrohet. Në situata të tilla është me rëndësi që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve. Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritete shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama.”, ka deklaruar Kos.
Sipas sajë “sa i përket projektit në zonën e Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet e tjera të zhvillimit në Shqipëri, duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit, kapitulli 27 i procesit. Ky kapitull aktualisht është i hapur. Përpara se të mund të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij aktualisht parashikohet deri në fund të vitit 2027”, ka thënë euro komisionarja Kos.
Rama: Dorëheqja mund të vijë pas anëtarësimit në BE
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka komentuar kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e tij duke deklaruar se dorëheqja e tij mund të vijë vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Në një intervistë për revistën italiane Vanity Fair Italia Rama tha se mbledhja e parë e qeverisë kur Shqipëria do të ishte vend anëtar i BE-së do të ishte rasti më i bukur që ai të jepte dorëheqjen.
