Maqedoni
Platforma e premtimeve të Qeverisë, OJQ: Përparimi më i madh në sektorin e arsimit
17.06.2026 14:08
Gati gjysma e premtimeve të Qeverisë për dy vite kanë shënuar përparim, por vetëm një, prej gjithsej pesë është realizuar plotësisht....

Qeveria e RMV-së ka realizuar 18% të premtimeve në dy vitet e para, vetëm një prej gjithsej pesë është realizuar plotësisht. Këtë e tregoi hulumtimi i fundit i organizatave joqeveritare, përkatësisht platformës qytetare “Kompas” të “Finance Think”. Përparimi më i madh shënohet në sektorin e arsimit, ndërsa më pak në zbatimin e politikave sociale, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.
“Sektori i arsimit po përparon me dinamikë të fortë. Treguesit makroekonomikë dhe premtimet japin një pamje të kënaqshme, shëndetësia dhe politikat për të rinjtë shënojnë një përparim të moderuar, ndërsa politikat sociale po mbeten në mënyrë sistematike prapa. Ndërkaq, barazia gjinore për të dytin vit me radhë nuk ka asnjë premtim të realizuar nga ato që janë dhënë.” - deklaroi drejtoresha ekzekutive e "Finance Think", Bllagica Petreski.
“Kjo në masën më të madhe lidhet me politikat që kanë të bëjnë me arsimin fillor dhe të mesëm. Konkretisht, në arsimin e mesëm profesional dhe në atë dual ka një përparim të madh sa i përket përfshirjes së një numri gjithnjë e më të madh të kompanive në arsimin dual dhe zhvillimit të qendrave rajonale për arsimin e mesëm profesional. Po ashtu, sa i përket përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin fillor dhe të mesëm, ka përparim.”, - theksoi Ana Mickoska Raleva nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar.
Sipas hulumtimit të platformës qytetare “Kompas”, thuhet se në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit janë shënuar disa përparime konkrete në realizimin e premtimeve qeveritare. Ndër to veçohen rritja e kapitacionit për mjekët amë, zgjerimi i listës së barnave dhe rritja e numrit të procedurave për Invitro, ndërsa në arsim veçohen premtimi për vauçerët e studentëve për blerjen e pajisjeve elektronike dhe projekti “Bli shtëpi për të rinjtë”.
“Në kuadër të kujdesit shëndetësor primar, rritja e kapitacionit për mjekët amë përfaqëson një masë për forcimin e kujdesit shëndetësor primar. Heqja e drejtorëve ekonomikë në institucionet publike shëndetësore është gjithashtu një hap i realizuar. Po ashtu, është realizuar premtimi për rritjen e numrit të procedurave falas për invitro nga 3 në 6, të cilat mbulohen nga Fondi i Shëndetësisë. Gjithashtu kemi zgjerim të listës pozitive me një grup të caktuar barnash, si dhe ulje të çmimit të disa barnave.”, - u shpreh Kiril Solevski nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë.
“Që nga raporti i kaluar janë përmbushur vetëm dy premtime shtesë nga Qeveria. Premtimi për kuponin me vlerë prej 250 eurosh për pajisje elektronike për të gjithë studentët dhe operacionalizimi i projektit “Bli shtëpi për të rinjtë’”.”, - deklaroi kryetari i Forumit Rinor Arsimor, Risto Savevski.
Sektori civil që realizon këtë monitorim të premtimeve thotë se qëllimi i këtij hulumtimi është që qytetarët të kenë “bardh e zi në letër” për atë se çfarë është realizuar dhe çfarë ka mbetur vetëm në letër. Ata vlerësojnë se programet politike shkruhen lehtë, por zbatimi i tyre në terren mbetet sfida kryesore. Përndryshe platforma “Kompas” ka targetuar 142 premtime nga programi qeveritar 2024-2028.
REXHP QAMILI
