Rajon

Shqipëri, pas 8 vitesh përfundon vettingu

17.06.2026 14:20

Pas tetë vitesh vetting, këtë të mërkurë është shënuar epilogu i gjithë këtij procesi....

Pas tetë vitesh vetting, këtë të mërkurë është shënuar epilogu i gjithë këtij procesi. Përfundimi i mandatit të shkallës së dytë të vettingut, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, u shënjua me një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë drejtues të sistemit të drejtësisë, krerë institucionesh apo edhe ndërkombëtar. Për Bashkimin Evropian sakrifica e Shqipërisë në këtë reformë e veçon atë nga vendet e tjera pretendente për anëtarësim.
 
“Vettingu ka qenë një proces historik që kërkonte vullnet të madh politik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Tashmë standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende, jo më me mekanizëm të jashtëzakonshëm, por me punë të rregullt të institucioneve. KLGJ dhe KLP tani kanë përgjegjësinë t’i mbajnë ato standarde.”, - deklaroi ambasadori, Silvio Gonzato.
 
“Faleminderit të gjithë që kontribuuan në këtë proces, për të cilin tani po festojmë rezultatet pozitive. Përfundimi i vettingut vjen në një moment të veçantë të Shqipërisë, në procesin e integrimit evropian. Vettingu ka qenë një prej arritjeve më të rëndësishme për Shqipërinë dhe ka bërë që vendi të jetë më afër integrimit.”, - theksoi përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Irena Mozova.
 
Për krerët e institucioneve shqiptare, vettingu shënjoi procesin më transformues të shtetit shqiptar.
 
“Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e vitit 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte në vitin 2016.”, - u shpreh Niko Peleshi.
 
“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike e ka pasur kosto reale. Por, kostoja e mosveprimit do të ishte më e madhe.”, - deklaroi Albana Koçiu.
 
“Ishte një përvojë e vështirë dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por, kjo etapë ishte e nevojshme.”, - theksoi kreu i KPA-së, Sokol Çomo.
 
Që nga shkurti i vitit 2018 në ‘sitën’ e vettingut u futën 805 gjyqtarë dhe prokurorë. Gjithsej e kaluan provën e pastërtisë vetëm 363, ndërsa shumica dolën nga sistemi i drejtësisë.
 
LULJETA NDOKA