Rajon
Rute: Do të zvogëlohet prania e KFOR-it në Kosovë
17.06.2026 14:36
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, ka konfirmuar raportimet se do të reduktohet prania e trupave të KFOR-it në Kosovë....

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, ka konfirmuar raportimet se do të reduktohet prania e trupave të KFOR-it në Kosovë. Sipas tij, reduktimi i pranisë së NATO-s në Kosovë vjen si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO-ja në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Rute tha se vazhdimisht mbahet llogari se si më së miri të rregullohet prania e KFOR-it në Kosovë.
“Natyrisht kjo do të varet nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë. Misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Aktualisht misioni i NATO-së KFOR ka një forcë prej rreth 4.700 trupash në Kosovë, të cilët kujdesen për sigurinë, sidomos në pjesën kufitare me Serbinë.
GYLTENE SINANI
