Botë

Marrëveshja ShBA – Iran, Tramp: Irani nuk do të ketë armë bërthamore

17.06.2026 14:50

ShBA-ja dhe Irani pritet ta firmosin këtë të premte marrëveshjen e paqes...

ShBA-ja dhe Irani pritet ta firmosin këtë të premte marrëveshjen e paqes. Por, derisa asnjëra nga palët nuk e kanë bërë publike draft-marrëveshjen, ShBA-ja e ka ndarë tekstin me vendet aleate në samitin e G7-ës në Francë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në këtë marrëveshje Irani është zotuar se nuk do të prodhojë armë bërthamore, eksportet e naftës së Iranit do të rifillojnë dhe do të krijohet një plan për të mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit. Në draft-marrëveshje thuhet se parashihet që Departamenti i Thesarit i ShBA-së të bëjë përjashtime për eksportet e naftës bruto iraniane dhe produkteve petrokimike menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Po ashtu, vendet do të sigurojnë që trafiku detar përmes Ngushticës së Hormuzit të kthehet në nivelet e para luftës brenda 30 ditësh. Ndërsa ShBA-ja gjithashtu do të tërheqë forcat ushtarake nga afërsia e Iranit.
 
Duke folur për marrëveshjen në samitin e G7-ës, Trampi tha se Irani nuk do të ketë kurrë program bërthamor. 
 
“E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi për mua është që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore dhe kjo thuhet qartë dhe zëshëm në marrëveshje.”, - deklaroi presidenti i ShBAsë, Donald Tramp.
 
Senatorë demokratë dhe republikanë, dyshime nëse Trampi arriti objektivat në konflikt
 
Por, senatorë amerikanë, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë shprehur shqetësime lidhur me atë nëse presidenti Trampi i ka arritur objektivat në konflikt.
 
“Nëse ka një marrëveshje përfundimtare, dhe shpresoj që të ketë, ajo duhet të vijë në Senat për miratim. Por, këtë nuk do ta dimë për 90 ditë. Duhet të shohim hapa të rëndësishëm dhe realë nga Irani. Irani udhëhiqet nga fanatikë fetarë. Ata mësojnë të gënjejnë para se të mësojnë të flasin, nuk mund t’u besohet.”, - theksoi senatori republikan nga Luiziana, Xhon Kenedi.
 
“Largimi nga një luftë që ishte e paligjshme dhe që nuk duhej të kishte nisur kurrë është diçka për të cilën duhet të ndihemi mirë dhe më pas vetëm të shpresojmë që negociatorët tanë të arrijnë një marrëveshje të mirë dhe do të duhet ta rikthejnë atë në Kongres, në përputhje me ligjin, Ligjin për Rishikimin e Marrëveshjes Bërthamore me Iranin, të cilin kam ndihmuar ta hartoj.”, - u shpreh senatori demokrat nga Virxhinia, Tim Kejn.
 
Marrëveshja ShBA - Iran, Rute: Rritet siguria ndërkombëtare
 
Por, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rute, tha se marrëveshja ShBA-Iran për paqe do ta rrisë sigurinë ndërkombëtare. 
 
“Aksioni i ShBA-së për pengimin e kanosjes nga armët bërthamore të Iranit dhe degradimin e kapacitetit të tij për raketa balistike e rrit sigurinë për të gjithë ne. Veprimi i presidentit Tramp krijoi mundësi për t’u siguruar se Irani kurrë nuk do të ketë armë bërthamore.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
 
Për Teheranin mbetet thelbësore që ndërprerja e luftës të nënkuptojë edhe fundin e pranisë izraelite në Liban. Paqeruajtësit e UNIFIL-it raportuan për më pak sulme mes forcave izraelite dhe Hezbollahut, thanë nga OKB-ja. Ndërkohë në Zvicër kanë nisur përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjes. Ministria e Jashtme e Zvicrës njoftoi se ceremonia e së premtes do të mbahet në një resort pranë Lucernit. Ky vend është përzgjedhur nga ndërmjetësuesit e Pakistanit dhe Katarit, në koordinim me ShBA-në dhe Iranin.
 
GYLTENE SINANI