Maqedoni

Rikonstruimi i Qeverisë, priten takime të koalicionit në fund të javës

17.06.2026 15:05

Mickoski njoftoi se të premten dhe të shtunën do të zhvillohen takime me partnerët e koalicionit VLEN dhe Lëvizjes “E di”...

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të premten dhe të shtunën do të zhvillohen takime me partnerët e koalicionit VLEN dhe Lëvizjes “E di”, në të cilat do të diskutohet për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski theksoi se bashkëpunimi ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it vazhdon pa ndryshime dhe në frymën e deritanishme të partneritetit qeverisës.
 
“Të premten dhe të shtunën janë caktuar takimet me partnerët e koalicionit VLEN dhe Lëvizjes “E di”. Tani nuk jemi para zgjedhjeve, tani jemi në gjysmën e dytë të mandatit, kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in. Pres që në atë drejtim të vazhdojmë. Pas realizimit të bashkëpunimit tonë, pas zgjedhjeve të vitit 2024, pasuan zgjedhjet lokale ku ata fituan bindshëm në 10 komuna, kështu që nuk shoh pengesë në këtë moment që bashkëpunimi ynë të mos vazhdojë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski. 
 
Për riformatimin e Qeverisë nga VLEN-i thonë se presin bisedimet me kryeministrin Mickoski, teksa thonë se janë të fokusuar në realizimin e premtimeve dhe se vendi, sipas tyre, nuk ka nevojë për zgjedhjet të parakohshme.
 
“Ne jemi të koncentruar në realizimin e programit qeveritar, në realizimin e projekteve në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe e vlerësojmë që Maqedonisë së Veriut i duhen zgjedhje të rregullta, të cilat janë në vitin 2028, por edhe me këtë aktivitet ne tregojmë se kemi potencë politike, që nesër të mbahen zgjedhjet që të dalim fitues në ato zgjedhje.”, - theksoi bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami. 
 
Takimet e paralajmëruara të fundjavës pritet të japin sinjalet e para konkrete për rikonstruimin e Qeverisë dhe drejtimin e mëtejmë të koalicionit qeverisës. Ndërkohë, si VMRO-DPMNE-ja ashtu edhe VLEN-i shprehen të përkushtuara për vazhdimin e bashkëpunimit dhe realizimin e programit qeveritar.
 
FITIM KRYEZIU