Maqedoni

Raporti i PE-së për RMV-në, PE-ja miraton raportin, por jo amendamentin 3

17.06.2026 15:46

Me 411 vota “për” PE miratoi Raportin për progresin e RMV-së në rrugën drejt BE-së...

Parlamenti Evropian, sot, me 411 vota “për”, 120 “kundër” dhe 120 abstenime, miratoi Raportin e raportuesit Tomas Vaic për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Amendamenti 3, i propozuar nga Vaic, me të cilin kërkohej të fshihej paragrafi 73 i rezolutës së ardhshme, u hodh poshtë. 338 eurodeputetë votuan kundër fshirjes së tekstit, ndërsa vetëm 126 e mbështetën atë. Nëse ky amendament do të ishte miratuar, teksti nuk do ta përmendte në mënyrë specifike Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
 
Në Raportin e 3 qershorit të miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme  nënvizohet mbështetja e plotë për integrimin evropian të vendit dhe përsërit thirrjen e Këshillit Evropian nga konkluzionet e vitit 2024, që Maqedonia e Veriut të përshpejtojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues, në përputhje me kornizën negociuese. Theksohet se hapja e grupeve thelbësore negociuese mbetet e bllokuar për shkak të kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e komunitetit bullgar ndër popujt përbërës të shtetit. Raporti thekson se dinamika e reformave kërkon angazhim të ri politik dhe veprime konkrete, përfshirë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, bashkëpunim konstruktiv ndërpartiak dhe mbikëqyrje efektive parlamentare. Në lidhje me mosmarrëveshjen me Bullgarinë njëkohësisht theksohet se mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet të përdoren si mjet për të bllokuar rrugën evropiane të vendit. 
 
"Hapja e grupeve thelbësore negociuese mbetet e bllokuar, për shkak të kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e komunitetit bullgar si një nga popujt përbërës të vendit. Qeveria ka shprehur mbështetje për anëtarësimin në BE, por ka treguar hezitim për të vazhduar me ndryshimet kushtetuese. Në qershor 2026, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, rikujtoi se “miratimi i ndryshimeve të dakorduara kushtetuese mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit.”, thuhet në qëndrimin e Komitetit për Politikë të Jashtme. 
 
Gjatë debatit të djeshëm në Parlamentin Evropian, raportuesi i Maqedonisë për BE-në, Tomas Vaic, theksoi se shumë e rëndësishme për BE-në është që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së. Ai gjithashtu tha se edhe BE-ja nuk e ka përmbushur një pjesë të premtimeve që i janë thënë shteteve pretenduese për anëtarësim. Parlamenti Evropian shpreh kritika për gjendjen demokratike dhe stagnimin e reformave në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar për dobësi në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Eurodeputetët theksojnë se, pavarësisht disa hapave pozitivë, agjenda reformuese mbetet dukshëm prapa, ndërsa ndërhyrjet politike, dobësitë institucionale dhe mungesa e vullnetit politik e minojnë besimin në sistem.
 
Përveç kësaj, raporti paralajmëron për përpjekje të koordinuara për manipulimin e diskursit publik dhe përhapjen e narrativeve anti-evropiane, përfshirë edhe përmes ndikimit të huaj në hapësirën mediatike. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe ndikimet gjeopolitike në rritje nga vende të treta, të cilat e komplikojnë më tej procesin reformues dhe situatën e sigurisë. Raporti që u votua nga Parlamenti Evropian nuk është obligues, por paraqet një indikator të fortë për të treguar se sa një shtet është i gatshëm për anëtarësim në BE. 
 
FLORIJE KAMBERI