Maqedoni

Ajdari: Në Rezolutën për RMV-në, PE miratoi amendament për gjuhën shqipe

18.06.2026 15:05

PE në Rezolutën për RMV-në ka përfshirë edhe amendamentin me të cilin bën thirrje që urgjentisht të zgjidhin çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore...

Parlamenti Evropian në Rezolutën për Maqedoninë ka përfshirë edhe amendamentin me të cilin bën thirrje autoriteteve të vendit që urgjentisht të zgjidhin çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, me qëllim të sigurimit të zbatimit praktik të Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm në aspektin formal ligjor, por edhe në frymën e saj. Kështu deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve.  
 
“A keni njohuri se në kuadër të kësaj, Parlamenti Evropian ka miratuar po ashtu amendamentin me të cilin u bën thirrje autoriteteve të RMV-së që urgjentisht të zgjidhin çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, me qëllim të sigurimit të zbatimit praktik të Marrëveshjes së Ohrit jo vetëm në aspektin formal ligjor, por edhe në frymën e saj. Në të njëjtin amendament kërkohet që protestat studentore mos të paraqiten në mënyrë të pasinqertë, si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizuaes, por të trajtohen si shprehje legjitime e shqetësimeve të qytetarëve për të drejtat e tyre.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
 
Sali: Rezoluta e PE-së konfirmoi perspektivën evropiane
 
Deputetja Ajdari, pyetjen e adresoi te numri dy i Qeverisë, Bekim Sali, përgjigjen e së cilit do ta marrë me shkrim, pasi zëvendëskryeministri nuk ishte i pranishëm në seancë. Ndërkohë zëvendëskryeministri Sali ka dhënë vlerësimin e tij për Rezolutën e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, me një postim në rrjetet sociale, duke vlerësuar se dokumenti konfirmon mbështetjen për perspektivën evropiane të vendit dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet shoqëria multietnike. 
 
“Rezoluta e Parlamentit Evropian konfirmon se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet e fortë. Mbështetja për Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe dhe karakterin multietnik të shtetit janë mesazhe të rëndësishme për të ardhmen tonë evropiane. Në të njëjtën kohë, Rezoluta kërkon më shumë reforma, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje nga dezinformimi dhe ndikimet anti-evropiane. Rruga drejt BE-së vazhdon me përgjegjësi, reforma dhe bashkëpunim.”, thekson zëvendëskryeministri, Sali. 
 
FLORIJE KAMBERI