Eurointegrimet, konfirmohet takimi në Sofje

07.10.2026 16:47

Sofja zyrtare e ka konfirmuar takimin dypalësh me Maqedoninë e Veriut nesër në Sofje

Sofja zyrtare e ka konfirmuar takimin dypalësh me Maqedoninë e Veriut nesër në Sofje, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Formati i takimit nuk është definuar akoma, por kryeministri Mickoski tha se vendi, nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Timço Mucunski, do të përcjellë mesazhin e qartë se Maqedonia e Veriut është e interesuar për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
 
“Mesazhet tona janë të qarta se vetëm me dialog mund të arrijmë një zgjidhje, duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Ne jemi për fqinjësi të mirë dhe ne duam që sa më shpejt të përmbushim qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo është diçka që ka kohë që e kemi merituar.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
LSDM-ja opozitare i kundërshton këto bisedime. Sipas tyre, nuk ka nevojë të rinegociohet korniza negociuese me BE-në, sidomos pas garancive të eurokomisares Ursula von der Leyen për identitetin dhe gjuhën.
 
“Është absolutisht e paqartë se pse kryeministri vazhdimisht këmbëngulte se duhet të bisedohet me Bullgarinë dhe tani ta dërgojë Mucunskin që të takohet me kolegen e tij në Sofje, që të flasin për kornizën negociuese, për të cilën vetë Ursula von der Leyen nënvizoi para disa ditësh para gjithë opinionit se e siguron identitetin tonë, se gjuha jonë është e garantuar.”, - theksoi Fani Karanfillova Panovska nga LSDM.
 
Lidhur me procesin integrues të vendit ka reaguar edhe partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët. Sipas tyre, ka momentum real për zgjerimin e BE-së dhe Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë tani, me një plan konkret për debllokimin e procesit. 
 
BENJAMIN ARIFI