Arsim, zgjidhet pjesërisht transporti për në UNT

08.10.2026 18:04

Për studentët e Universitetit „Nënë Tereza“ në Shkup, rruga drejt universitetit nuk do të jetë më aq e vështirë....

Për studentët e Universitetit „Nënë Tereza“ në Shkup, rruga drejt universitetit nuk do të jetë më aq e vështirë. Dy linjat e autobusëve, 17/1 dhe 17/2, do të qarkullojnë në drejtim të kampusit, duke ua lehtësuar studentëve përdorimin e transportit publik. Zgjidhja është siguruar nga përfaqësuesit e rektoratit, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik të Qytetit të Shkupit. Autobusët do të qarkullojnë çdo 50 minuta, ndërsa ndalesa për studentët do të jetë përballë Ambasadës së ShBA-së. Të dyja linjat do të kalojnë nëpër pikat kryesore të qytetit, ndërsa sipas rektorit të UNT-së, kjo zgjidh një problem të kahershëm për studentët e universitetit.
 
“Erdhi më në fund edhe zgjidhja. Prej tani, dy linjat e autobusëve 17/1 dhe 17/2 do të qarkullojnë përballë Universitetit “Nënë Tereza” dhe me këtë zgjidhet problemi i transportit për studentët tanë, i cili ka qenë një problem i kahershëm. Disa vjet jemi përpjekur me kërkesa të ndryshme. Në këtë pjesë të qytetit, nga ndërtesa e Aleksandar Pallasit deri te Kalaja, nuk kemi pasur linja autobusi dhe tani do të kemi dy linja që do të qarkullojnë nëpër pikat kryesore. Këta autobusë do të qarkullojnë në shumë pjesë, respektivisht në 24 stacione. Por, pjesa kryesore për ne është se përfshihet zona e Bit Pazarit, përballë Universitetit “Kirili dhe Metodi”, pastaj vazhdon në rrugën e Plastikave dhe kalon këtu deri tek ne. Më pas do të rrotullohet te Ambasada e Amerikës dhe do të kthehet majtas nga Muzeu.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Bekim Fetaji.
 
Ndërkohë, me intensitet të madh vijojnë edhe punimet për Kampusin e ri të UNT-së. Rektori Fetaji thotë se aktualisht po ndërtohen bodrumi, përdhesja dhe kati i parë, ndërsa së shpejti punimet do të vazhdojnë edhe në dy objektet e tjera ekzistuese. Pikërisht për shkak të punimeve, studentët e tri fakulteteve janë zhvendosur përkohësisht në godinën e LSM-së në Shkup.
 
“U detyruam që tri fakultete me numër më të madh studentësh t’i zhvendosim në godinën e Lidhjes së Sindikatave në qendër të Shkupit, ku edhe në fillim ishte universiteti. Prej këtij semestri, këto tri fakultete kalojnë në godinën e LSM-së dhe aty do të zhvillohet mësimi derisa të përfundojë ndërtimi i kampusit. Në këtë mënyrë jemi organizuar dhe kemi arritur një balancim të të gjitha këtyre çështjeve.”, - theksoi rektori i UNT-së, Bekim Fetaji.
 
Rektori i UNT-së, Fetaji, bën thirrje për mirëkuptim nga studentët gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se ndërtimi i një kampusi të ri është një proces kompleks. Ndërkohë, për t’ua lehtësuar transportin përmes linjave të reja të autobusëve, studentët mund të përfitojnë edhe kartelë falas për transportin urban, përmes e-mailit zyrtar studentor dhe procedurave përkatëse. Përmes aplikacionit të NQP Shkup, ata mund të ndjekin në kohë reale orarin dhe lëvizjen e autobusëve. (Rexhep Qamili, TVM2)