Ribalanci i buxhetit, Qeveria siguron se buxheti është likuid

08.10.2026 18:05

Më shumë shpenzime se sa të ardhura...

Më shumë shpenzime se sa të ardhura dhe deficit që arrin në rreth 46 miliardë denarë. Ky është një nga ndryshimet kryesore që sjell ribalanci i dytë i Buxhetit. Qeveria thotë se nuk bëhet fjalë për krizë likuiditeti, por për përshtatje ndaj kushteve të reja ekonomike. 
 
“Rishikimi i dytë i Buxhetit nuk është rezultat i problemeve me likuiditetin e Buxhetit. Ajo është përgjigje ndaj kushteve të ndryshuara ekonomike, duke ruajtur të pandryshuar prioritetin; mbrojtjen e qytetarëve, përmbushjen e detyrimeve ligjore, ruajtjen e aktivitetit ekonomik dhe disiplinën fiskale.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
 
Opozita akuzon se nuk ka para për rroga e pensione
 
Opozita sërish kritikon Qeverinë për gjendjen e financave publike. Nga LSDM-ja thonë se ribalanci i dytë nuk e zgjidh problemin, por, sipas tyre, shërben për të maskuar gjendjen e rënduar të buxhetit. Ata pretendojnë se mungojnë mjetet e nevojshme edhe për pagesën e rregullt të rrogave dhe pensioneve, duke kërkuar nga Qeveria të japë përgjigje të qarta për gjendjen reale të arkës shtetërore dhe mënyrën se si do të financohen detyrimet deri në fund të vitit.
 
“Ribalanci nuk është për ndonjë masë për naftën, ajo është edhe një gënjeshtër e Hristijan Mickoskit. Ribalanci po bëhet për shkak të situatës katastrofike të buxhetit dhe mosrealizim të të ardhurave. Në vend që të shkurtojë nga shpenzimet joproduktive, ta ndalojë luksin dhe tenderët partiakë, sërish borxhe të reja.”, - theksoi Simona Cvetanoski nga LSDM.
 
Ndryshe, me ribalancin e dytë, të ardhurat janë ulur në 374.2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në 420.5 miliardë denarë. Edhe pse me ribalancin e dytë deficiti mbetet në 46.3 miliardë denarë, sipas të dhënave të publikuara deri më 6 tetor ai ka arritur në 50.2 miliardë denarë. Megjithatë, sipas ministres Dimitrieska Koçoska, buxheti i shtetit është likuid pasi detyrimet e shtetit po servisohen rregullisht, ka burime të planifikuara financimi dhe detyrimet po paguhen në kohë. (Sara Kajolli, TVM2)