Prit me ditë e prit me muaj, Golgota e pacientëve të Onkologjisë
Në 07:00 të mëngjesit, për shumicën e pacientëve të Onkologjisë...

Në 07:00 të mëngjesit, për shumicën e pacientëve të Onkologjisë, dita sapo ka nisur. Ajo mund të jetë vetëm fillimi i një tjetër dite të gjatë, me pritje, terapi dhe orë të tëra larg shtëpisë.
Nga qytete të ndryshme të vendit, ata mbërrijnë në Shkup për trajtimin nga i cili varet jeta e tyre.
Disa vijnë me autobusë, disa me automjete të tjera, por shqetësimi është i njëjtë, sa do të zgjasë pritja, a do ta marrin terapinë me kohë dhe kur do të mund të kthehen në shtëpi.
Përveç radhëve të gjata dhe pritjes për terapi, pacientët përballen edhe me një tjetër problem, pritjen për PET-skanimin.
Për një termin, thonë ata presin nga katër deri në pesë muaj, ndërsa në të gjithë vendin funksionon vetëm një aparat PET-skan.
“Jam nga Kratova. Deri tani ka ndodhur njëherë që para rreth tre muajsh të mos kishte një ilaç. Përndryshe, vij me autobus këtu rreth orës 09:00 të mëngjesit, ndërsa zakonisht përfundoj rreth orës 15:00.”, - tha një pacient.
“E gjithë Maqedonia është mbledhur këtu, në Onkologji, ndërsa të sëmurët presin me orë të tëra, madje nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 07:00 të mbrëmjes.”, - tha një pacient tjetër.
“Për PET-skanin pritet nga katër deri në pesë muaj. E ju e dini se ai është rezultat kryesor për të parë nëse sëmundja është përhapur, çfarë terapie duhet të marrim apo nëse duhet të vazhdojmë me terapinë. Ky është rezultati më themelor dhe më i rëndësishëm që duhet ta shohë mjeku, por edhe familja. Imagjinoni, ka vetëm një aparat në të gjithë Maqedoninë, ndërsa shpesh ai qëndron me muaj jashtë funksionit për shkak të servisimit.”, - u shpreh një pacient.
Pas këtyre rrëfimeve qëndrojnë edhe shifrat. Aktualisht, rreth 7 mijë pacientë janë në trajtim aktiv në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa vetëm vitin e kaluar rreth 1 mijë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit.
Shifra që flasin jo vetëm për numrin e madh të pacientëve, por edhe për barrën e madhe mbi sistemin shëndetësor.
Pikërisht për ta ulur këtë ngarkesë, autoritetet paralajmërojnë decentralizimin e një pjese të shërbimeve onkologjike, ndërsa nga Shoqata “Hema-Onko” kërkojnë që ky proces të bëhet me kujdes dhe, mbi të gjitha, pa cenuar sigurinë e pacientëve.
“Filluam që diçka të funksionojë pjesërisht, përkatësisht dislokimi të funksionojë pjesërisht si veprimtari konsultative-specialistike në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Do të vazhdojmë edhe këtë vit dhe shpresojmë edhe vitin e ardhshëm që një onkolog nga Shkupi të shkojë në Spitalin Klinik të Manastirit. Kjo është ajo që mund të bëjmë për të mirën e pacientëve dhe për ta lehtësuar, në një masë, ngarkesën në Klinikë. Ndonjëherë terapia mund të vonohet minimalisht për shkak të mangësive në shpërndarje. Sa i përket idesë së paraqitur gjatë mandatit të ministrit të mëparshëm të Shëndetësisë për një furnizim trevjeçar të një pjese të terapive, ai tha se po punohet për këtë dhe se me shumë gjasë do të mund ta realizojnë në tenderin e ardhshëm publik për vitin 2027.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Igor Stojkovski.
“Qëllimi nuk është vetëm që terapia të merret, por të sigurojmë vërtet që çdo pacient që nuk do të trajtohet në Klinikën e Onkologjisë ta marrë terapinë në mënyrë të sigurt. Ne si pacientë e dimë më së miri se sa e madhe është ngarkesa në Klinikën e Onkologjisë. Kjo, nga njëra anë, vjen për shkak të mungesës së personelit, të cilën po përpiqen ta kompensojnë, ndërsa nga ana tjetër, për shkak të numrit të madh të pacientëve për trajtimin, veçanërisht të kancerit të gjirit, pacientët nga qytetet e tjera preferojnë që trajtimi të bëhet në Klinikën e Onkologjisë. Pikërisht për këtë arsye, tashmë i kemi dorëzuar disa kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë dhe tani po fillojmë një proces të ri.”, - theksoi Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-Onko”.
Stojkovski thotë se koha e qëndrimit në Klinikë varet nga lloji i terapisë, ndërsa decentralizimi pritet të zgjerohet edhe jashtë Shkupit, fillimisht në “8 Shtatori” dhe më pas edhe në Manastir.
Të gjitha këto u thanë dhe u diskutuan në “Mëngjesin me Shoqatën “Hema-Onko””, aktivitet kushtuar pacientëve, punonjësve shëndetësorë dhe përmirësimit të kujdesit onkologjik, pas muajit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Sipas të dhënave zyrtare, rastet e kancerit po rriten nga viti në vit, por po rritet edhe numri i pacientëve që mbijetojnë dhe arrijnë ta mposhtin sëmundjen. (Rexhep Qamili, TVM2)
