Shporta e re mesatare e konsumit, ME: Në gusht arriti në 58.475 denarë

09.10.2026 20:47

Ministria e Ekonomisë dhe Punës po vendos...

Ministria e Ekonomisë dhe Punës po vendos një qasje të re në përllogaritjen e shportës mesatare të konsumit, duke u bazuar në të dhënat zyrtare statistikore dhe shpenzimet reale të amvisërive.

Sipas kësaj përllogaritjeje, shporta mesatare e konsumit në muajin gusht ka arritur në 58.475 denarë, ose 29 denarë më shumë krahasuar me muajin paraprak.

Ndërkaq, shpenzimet për ushqime dhe pije kanë shënuar ulje prej 255 denarësh. Krahasuar me janarin e këtij viti, vlera e shportës është rritur për 2.095 denarë, ose 3.7 për qind. 

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se qëllimi i kësaj metodologjie është të ofrojë një pasqyrë sa më objektive dhe transparente të shpenzimeve reale të qytetarëve. Sipas tij, dallimet me shportën sindikale lidhen me metodologjinë e përllogaritjes, pasi ministria bazohet në shpenzimet reale të familjeve, ndërsa sindikatat në vlerësimin e shpenzimeve të nevojshme për jetesë.

“Sipas llogaritjeve të Ministrisë, shporta mesatare e konsumit në gusht 2026 është 58.475 denarë. Krahasuar me korrikun, rritja është vetëm 29 denarë. Është veçanërisht e rëndësishme që shpenzimet për ushqime dhe pije në muajin gusht të jenë ulur për 255 denarë krahasuar me muajin paraprak. Krahasuar me janarin e këtij viti kur shporta ishte 56.381 denarë, në gusht ajo ishte më e lartë se 2.095 denarë, ose për 3.7 për qind.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Pavarësisht se shporta e ministrisë është rreth 11.200 denarë më e ulët se ajo sindikale, Durmishi thekson se qëllimi nuk është të bëhet garë se kush ka shportën më të madhe apo më të vogël, por të sigurohet një pasqyrë reale dhe objektive e kostove të jetesës. Por, sa qytetarë në vend marrin pagë minimale dhe sa prej tyre fitojnë më shumë se kjo pagë? Durmishi përgjigjet se vetëm një pjesë e vogël e të punësuarve figurojnë zyrtarisht si përfitues të pagës minimale.

“Në vendin tonë janë të punësuar përafërsisht 750 mijë qytetarë, prej të cilave 120 mijë janë në sektorin  publik, ndërsa pjesa tjetër 630 mijë qytetarë i kemi  të punësuar në sektorin privat dhe prej 750 mijë vetëm 30 mijë qytetarë janë të evidentuar si qytetarë që marrin pagë minimale, ndërsa 70 për qind janë tregtar individual, janë themelues të kompanisë së tyre ku ata lëshojnë pagë minimale tek vetja e tyre dhe nuk e rrisin pagën pasi që rriten edhe kontributet. Nëse i krahasojmë në përqindje, vetëm 2 përqindje prej qytetarëve marrin pagë minimale në vendin tonë, 98 për qind të të tjerëve marrin shumë më shumë se sa pagë minimale.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Shporta e ministrisë përfshin 11 kategori shpenzimesh, por nuk përfshin këstin mujor të kredisë për banim apo qiranë. Çmimet e produkteve ushqimore janë mbledhur në tetë qytete të vendit.

Në brifingun me gazetarët, Durmishi foli edhe për inflacionin, i cili, sipas tij, është 2.7 për qind dhe më i ulët se në shumë vende evropiane. (Rexhep Qamili, TVM2)