Kumanovë, burg i përjetshëm për vrasësin serik të grave
Gjyqi Themelor i Kumanovës...

Gjyqi Themelor i Kumanovës sot ka shpallur vendimin përfundimtar për vrasësin serik të grave. Vrasësit serik, Trajko Bojkovski, i është shqiptuar dënimi maksimal - burg i përjetshëm.
Bojkovski akuzohej për 4 vrasje dhe dy vrasje në tentativë. Ai i ka vrarë gratë e moshuara Stançe Karovska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska, kurse ka tentuar t’i vrasë edhe Rosana Trajkovska dhe Sllobotka Arsovska. Lidhur me dënimin e shqiptuar, prokurori Lubomir Llape, tha se ky është i vetmi dënim adekuat për veprat e shkaktuara penale.
"Gjyqi me të drejtë e verifikoi gjendjen faktike dhe shqyrtoi dënimin i cili është i vetëm në raste të këtilla, sikurse unë që nuk munda të gjeja rrethana lehtësuese për të akuzuarin, të njëjtën nuk mundi ta bëjë as Gjyqi Themelor i Kumanovës. Me të drejtë konstatoi se këto janë vepra penale të formës më të lartë, vrasje morbide nga njëra anë, kurse nga ana tjetër fakti se për këtë vrasës serik nuk ekziston mundësia e risocializimit. Andaj, sipas meje, ky është dënimi më adekuat për veprat e kryera të Bojkovskit.", - theksoi prokurori, Lubomir Llape.
Të gjitha viktimat janë vrarë në rajonin e Nagoriçit të vjetër. Vrasësi serik Bojkovski, pasi i ka vrarë 4 gratë, me të njëjtat ka abuzuar seksualisht.
