Dy të rinjtë u ankuan për dhunë nga policia, MPB-ja heton rastin dhe përcaktimin e përgjegjësisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski...

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që ta hetojë rastin e 7 tetorit kur dy persona janë ankuar për sulm fizik nga pjesëtarë të policisë.
“Departamenti po ndërmerr masa dhe aktivitete për përcaktimin e plotë të gjendjes faktike dhe rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e përgjegjësisë eventuale të zyrtarëve policorë të përfshirë.”, informojnë nga MPB.
Nga kjo ministri njëherësh paralajmërojnë se pas konstatimit të gjendjes faktike do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa opinioni do të informohet me kohë për rezultatin e procedurës.
Dy të rinjtë u ankuan për dhunë nga policia, Iseni: Kontrolli i brendshëm po heton rastin
Edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, thotë se rasti duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht, ndërsa në rast se konstatohen shkelje, personat përgjegjës duhet të përballen me përgjegjësi.
“Pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht. Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi. Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i qartë: uniforma është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i shërbyer ligjit. Çdo keqpërdorim i autoritetit cenon besimin dhe dinjitetin e institucionit. Përkushtimi ynë është një polici që vepron me profesionalizëm dhe jep llogari. Transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për besimin në polici. Qytetarët do të njoftohen në kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren.”, thekson zëvendësministri brendshëm Iseni.
I riu i sulmuar: Nuk e dinim se ishin policë, nuk kishin shenja
Në raportimin intern policor është raportuar se dy të rinjtë, njëri 21 dhe tjetri 23 vjeç, ia kanë marrë policit pistoletën. Por, dy të rinjtë, për portalin “Pa Censurë” kanë deklaruar se pistoleta e policit ka përfunduar në veturën e tyre si pasojë e thyerjes së xhamit nga policia!
Sipas tyre, në përpjekje për ta marrë pistoletën, policët kanë shtënë me armë në ajër dhe në drejtim të veturës.
Pasi ua kanë shpuar gomat, të rinjtë kanë humbur kontrollin e veturës dhe janë përplasur. Më pas, sipas deklaratave të tyre, policia i ka dhunuar barbarisht, duke ua lidhur duart dhe duke i shtrirë në tokë!
“Rreth orës 09:00 në Kondovë te treni dhe prej atje duke lëvizur me veturë ngadalë, ata kanë ardhur, dolën prej veturës dhe menjëherë na e thyen xhamin. Na sulmuan direkt, na e thyen edhe xhamin anash dhe pastaj i ka rënë pistoleta brenda. Por, ne duke dashur të ikim, sepse nuk kishte shenja policie dhe asgjë, ata kanë shtënë dhe na i kanë plasur gomat e veturës. Kur kemi dalë në autostradë dhe e kemi parë se i kanë ndezur dritat rrotulluese, kemi dashur të ndalemi, por vetura lëvizte herë në një anë e herë në anën tjetër dhe bëmë aksident. Kur arritën ata, direkt na sulmuan pa na pyetur fare nëse jemi mirë, na sulmuan, na shtrinë për tokë dhe na thanë ku është pistoleta? Ne u thamë se nuk kemi pistoletë dhe nuk kemi marrë pistoletë, por ata na sulmuan direkt dhe na shtrinë për asfalti. Ata gjuajtën me pistoletë dhe na thanë të mbledhim gëzhojat. Ne i mblodhëm gëzhojat dhe pastaj erdhi njësia tjetër speciale. Por, edhe ata erdhën me dy-tre vetura dhe ne i kishim duart e lidhura, por ata vazhduan të na sulmojnë. Kemi mbetur të shtrirë gjysmë ore në asfalt.”, - u shpreh i sulmuari nga policia.
BDI, LSh dhe ASh: Të zbardhet plotësisht rasti i dhunës policore
Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe partitë politike. BDI-ja kërkon zbardhjen e plotë të rastit, por edhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast.
Edhe nga Lidhja Shqiptare dënojnë ashpër dhunën e ushtruar nga ana e pjesëtarëve të policisë ndaj dy të rinjve në Shkup, duke theksuar se ky rast nuk duhet të kalojë vetëm me hetime dhe sanksionime disiplinore ndaj policëve, por të shqyrtohet si një vepër e rëndë penale dhe autorët të marrin dënimin e merituar, përgjegjësi komanduese e politike, deri te dorëheqja e menjëhershme e ministrit të Brendshëm, Toshkovski, dhe zëvendësministrit Iseni.
Edhe Aleanca për Shqiptarët kërkon zbardhje të menjëhershme dhe të plotë të rastit. Policia duhet të jetë garanci për sigurinë e çdo qytetari dhe jo burim frike, theksojnë nga ASh-ja. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
