Dialogu me Bullgarinë, Mickoski: Pres qëndrimet të afrohen drejt kompromisit
10.10.2026 18:09
Kryeministri Hristijan Mickoski shprehet i kënaqur që ka filluar dialogu me Bullgarinë...

Kryeministri Hristijan Mickoski shprehet i kënaqur që ka filluar dialogu me Bullgarinë dhe që për të janë njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Ai pret që bisedimet të vazhdojnë dhe palët t’i afrojnë qëndrimet drejt një kompromisi.
I pyetur se ku e sheh zgjidhjen për zhbllokimin e marrëdhënieve me Bullgarinë, pas takimit të së enjtes në Sofje mes ministrave të Jashtëm të të dy vendeve, Timço Mucunski dhe Velislava Çamova, Mickoski theksoi se zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut dhe afrimit të qëndrimeve.
“Përmes bisedimeve, përmes dialogut. Kjo është bukuria e demokracisë, kur bisedoni dhe zhvilloni dialog. Më vjen mirë që ky dialog ka filluar, më vjen mirë që për dialogun janë të informuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është bukuria e demokracisë, të bisedoni edhe kur keni qëndrime të ndryshme, ndërsa mjeshtëria qëndron në atë se si t’i afroni këto qëndrime të ndryshme dhe, në fund, të arrini një kompromis. Pres që dialogu të vazhdojë dhe që, në një moment të caktuar, qëndrimet të afrohen dhe të arrijmë një zgjidhje”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Deri më tani nuk dihet nëse do të ketë një takim të ri deri në samitin e dhjetorit. Mickoski thotë se procesit duhet t’i jepet kohë që të zhvillohet natyrshëm, ndërsa shton se opinioni do të informohet me kohë për çdo përparim.
“Këshilla ishte që të fillojë dialogu dhe dialogu filloi. Partnerët tanë janë të informuar për përmbajtjen e dialogut. Pres që dialogu të vazhdojë. Kështu që, në periudhën që vijon, pres të ketë përparim dhe, në momentin kur të ketë përparim, natyrisht që publiku do të informohet”, theksoi Mickoski.
Pas takimit të së enjtes, shefi i diplomacisë maqedonase, Timço Mucunski tha se bisedimet u zhvilluan në atmosferë konstruktive dhe me frymë pozitive, por pa zgjidhje për çështjet dhe dallimet thelbësore mes dy vendeve.
Dialogu po vazhdon, por qëndrimet e Shkupit dhe Sofjes mbeten ende të largëta. Bullgaria kundërshton ndryshimet kushtetuese me efekt të shtyrë dhe rishikimin e Marrëveshjes, si dhe shpreh rezerva ndaj propozimit për shumicë të kualifikuar. Ndërkohë diplomacia maqedonase po kërkon mekanizma sigurie dhe garanci për identitetin dhe për vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian të vendit.
REXHEP QAMILI
