Rasti i dy të rinjve në Shkup: Nxit reagime politike, kërkohet zbardhje e ngjarjes
10.10.2026 18:16
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me rastin...

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me rastin e dy të rinjve në Shkup, të cilët dyshohet se janë dhunuar nga zyrtarë policorë. Ai kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit, duke theksuar se uniforma policore nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, e që më tepër të arsyetojë ushtrimin e sjelljeve të dhunshme.
Për ta nuk ka dyshime çdo veprim policor duhet të jetë në përputhje me ligjin, standardet profesionale dhe kompetencat e përcaktuara me ligj. Iseni njëherit thekson se rasti nuk ka motive etnike, andaj u bën thirrje të gjithëve që rasti në fjalë të mos keqpërdoret për nxitjen e tensioneve ndëretnike. MPB në koordinim me Prokurorinë Publike, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë.
“Çdo veprim policor duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit të dyshuar të dhunës ndaj dy të rinjve në Shkup, më 7 tetor.Çdo provë do të shqyrtohet me vëmendjen dhe seriozitetin e duhur.Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi.Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se rasti nuk ka asnjë lidhje me motive etnike, ndërsa patrulla policore e përfshirë kishte përbërje të përzier etnike.Nuk duhet të lejojmë që ky rast të keqpërdoret për të nxitur tensione ndëretnike”, thuhet në reagimin e Isenit në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë, ka reaguar edhe VLEN-i. Nga kjo parti thonë se po e ndjekin nga afër rastin dhe mbështesin përpjekjet institucionale për zbardhjen e plotë të tij. Ata theksojnë se dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë dhe se, nëse vërtetohen shkelje të ligjit dhe tejkalim i kompetencave, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. VLEN-i shpreh solidaritet me familjet e të rinjve, duke theksuar se çdo qytetar meriton mbrojtje dhe drejtësi.
“E vlerësojmë faktin që rasti është vënë nën hetim nga mekanizmat përkatës të kontrollit të brendshëm dhe kërkojmë që procedura të zhvillohet me seriozitet, paanshmëri dhe transparencë, deri në sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave. Po ashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë që, në bazë të provave dhe gjetjeve të hetimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.Është për keqardhje që një rast kaq serioz, opozita po tenton t’i japë ngjyrim nacionalist dhe ta shndërrojë në mjet për nxitjen e tensioneve ndëretnike.Sipas informacioneve, zyrtarët policorë të dyshuar për përfshirje në rast u përkasin tri etnive të ndryshme. Kjo e bën edhe më të qartë se përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve, provave dhe veprimeve konkrete të secilit person, e jo mbi përkatësinë etnike”,thuhet në komunikatën e VLEN-it.
I menjëhershëm ishte reagimi i BDI-së, nga ku akuzuan VLEN-in se flet për drejtësi, por hesht për përgjegjësinë institucionale. Sipas BDI-së, interesi i vonuar nuk e zëvendëson përgjegjësinë politike.
“Është e lehtë të thuhet se dhuna nuk justifikohet me uniformë dhe se shkelësit duhet të përgjigjen para ligjit. Por, kur je pjesë e pushtetit, nuk mjafton të shprehësh shqetësim dhe të presësh përfundimin e hetimeve. Kërkohet përgjegjësi politike, veprim institucional dhe garanci se raste të tilla nuk do të relativizohen apo të mbulohen.Përgjegjësia individuale e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësia institucionale nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato duhet të ecin paralelisht. Hetimi duhet të jetë i plotë dhe transparent, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për çdo veprim apo mosveprim”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Dy të rinjtë pretendojnë se më 7 tetor janë sulmuar fizikisht nga persona që, sipas tyre, ishin pjesëtarë të policisë pa uniformë. Ata kanë deklaruar se fillimisht nuk e kanë ditur identitetin e personave që i kanë sulmuar dhe u kanë dëmtuar edhe automjetin. Për rastin, MPB ka nisur hetim të brendshëm. Deri më tani, pretendimet për keqtrajtim nuk janë konfirmuar përfundimisht nga hetimi, ndërsa pritet që kontrolli i brendshëm të sqarojë rrethanat e ngjarjes.
REXHEP QAMILI
