Shëndeti mendor, të kërkosh ndihmë nuk është dobësi

10.10.2026 18:06

Stresi, ankthi dhe depresioni janë fjalë që dëgjohen gjithnjë e më shpesh...

Stresi, ankthi dhe depresioni janë fjalë që dëgjohen gjithnjë e më shpesh, por sa seriozisht e marrim shëndetin mendor dhe në cilin moment një gjendje e përkohshme shndërrohet në një problem që kërkon ndihmë profesionale?
 
Ritmi i shpejtë i jetës, presioni në punë dhe sfidat personale janë pjesë e përditshmërisë, por mënyra se si përballemi me to mund të ndikojë në mirëqenien tonë mendore. Jo çdo stres është shenjë e një problemi serioz, por njohja e simptomave dhe reagimi me kohë janë të rëndësishme. Psikologia Sumeja Ramadani shpjegon se stresi lidhet kryesisht me situata konkrete, ndërsa ankthi shpesh ushqehet nga frika dhe skenarët për gjëra që mund të ndodhin në të ardhmen.
 
“Stresi është pjesë e pandarë e jetës sonë, ngaqë po jetojmë një jetë shumë dinamike. Stresi është kur kemi një problem real në jetë, ndërsa ankthi është një problem që ne e imagjinojmë që mund ta hasim në jetë. Nuk duhet lënë shumë hapësirë për t'i imagjinuar sfidat e së ardhmes dhe për t'i shkaktuar vetes presion në të tashmen, sepse truri e percepton si rrezik edhe nëse nuk ka ndodhur”, deklaroi psikologia Sumeja Ramadani.
 
Shenjat e shqetësimeve psikologjike nuk shfaqen gjithmonë përmes fjalëve. Ndryshimet e papritura në gjumë, oreks dhe sjellje, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët, mund të jenë sinjale që kërkojnë vëmendje. Prandaj, prindërit duhet të vërejnë nëse fëmijët po izolohen, po ndryshojnë rutinën ose po shmangin komunikimin.
 
Njëkohësisht, stigma dhe mungesa e informacionit mund t'i pengojnë njerëzit të kërkojnë ndihmë. Megjithatë, sipas psikologes Ramadanit, ndërgjegjësimi për shëndetin mendor dhe gatishmëria për t'iu drejtuar profesionistëve janë në rritje.
 
“Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit. Pa shëndet mendor, nuk kemi shëndet të plotë fizik. Ndonjëherë jemi mjaftueshëm të aftë të kujdesemi vetë për mirëqenien tonë, por ka raste kur nuk jemi në gjendje të kujdesemi plotësisht vetë. Andaj, duhet të krijojmë lidhje të forta me familjarët, miqtë, por edhe me profesionistët, tek të cilët kemi besim dhe që do të jenë aty për ne kur të kemi nevojë. Kemi progres shumë të madh kolektiv në aspektin e kërkimit të ndihmës psikologjike. Më parë ka pas një stigmë shumë të madhe nga mosdallimi I ndihmës psikologjike dhe ndihmës psiqiatrike. Tani masa, populli jonë fatmirsisht është në nivel shumë më të lartë të edukimit”, theksoi Ramadani.
 
Të flasësh për shëndetin mendor nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi, njohja e problemit dhe kërkimi i ndihmës mund të jenë hapi i parë drejt zgjidhjes. Sepse kujdesi për shëndetin tonë fillon edhe duke i kushtuar vëmendje asaj që ndodh brenda nesh.
 
BELINDA KOKA ADEMI