Shënohet 11 Tetori, 85 vjet nga Kryengritja Popullore: Mesazhe për liri, unitet dhe zhvillimin e atdheut
11.10.2026 16:54
Vendi shënon 11 Tetorin...

Vendi shënon 11 Tetorin-Ditën e Kryengritjes Popullore kundër fashizmit, ku 85 vite më parë nisi lufta për liri dhe çlirim nga okupatori.
Me moton “Ideale që ndërtojnë të ardhmen”, manifestimi qendror u mbajt në Kumanovë, ku morën pjesë përfaqësues të shumtë të ekzekutivit, në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Ai tha se Maqedonia është më e madhe se çdo gjeneratë politike dhe se përgjegjësia e tyre është të lënë pas një atdhe më të fortë se ai që trashëguan.
“A jemi ne, gjenerata që trashëgoi lirinë e tyre, të gatshëm ta ndërtojmë të ardhmen e atdheut me të njëjtin vendosmëri? A jemi të gatshëm t’i tejkalojmë ndarjet, të përballemi me dobësitë tona dhe ta ndryshojmë shtetin aty ku ndryshimet janë më të vështira? A jemi të gatshëm të ndjekim rrugën më të vështirë, por të drejtë, të besojmë në veten tonë dhe të punojmë për të ardhmen e përbashkët? A jemi të gatshëm të lëmë pas një atdhe më të fortë se ai që trashëguam? Përgjigjja ime është e qartë dhe e prerë – po, po, jemi të gatshëm. Edhe pse jo të gjithë në spektrin politik besojnë në këtë, madje ka edhe të tillë që veprojnë kundër, ne jemi të gatshëm. Dhe pikërisht sepse jemi të gatshëm, nuk kemi të drejtë të dështojmë, sepse atdheu ynë është më i madh se çdo gjeneratë politike. Prandaj dua të them qartëse, të ardhmen nuk do ta ndërtojmë mbi urrejtjen dhe dallimet nuk do t’i shndërrojmë në armiqësi. Nuk do të lejojmë që e kaluara të bëhet pengesë për bashkëpunimin, por as nuk do të heqim dorë nga dinjiteti ynë. Sepse miqësia e vërtetë nuk kërkon të heqim dorë nga vetvetja, por ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në urimin për 11 Tetorin, theksoi se kjo datë dëshmon se liria fitohet me guxim e sakrificë, ndërsa shteti ndërtohet me punë, nder dhe përgjegjësi. Vlerëson se, në këto kohë sfidash të shumta bashkëkohore, nevojiten unitet, pjekuri dhe mençuri.
"Është koha ta trajtojmë shtetin si një shtëpi të përbashkët, në të cilën dallimet nuk janë arsye për përçarje, por arsye për të mësuar nga njëri-tjetri, për të kuptuar njëri-tjetrin, për të ndërtuar vetëdijen për të mirën e përbashkët. Ne duhet të ndërtojmë një shtet ligjor dhe demokratik, por edhe një shoqëri civile në të cilën ligjet do të zbatohen për të gjithë, institucionet do t'u shërbejnë të gjithëve dhe dinjiteti njerëzor i secilit do të jetë një vlerë e paprekshme. Çdo brez ka provën e vet para historisë. Prova jonë nuk është të rrëfejmë, dhe aq më pak të përsërisim, betejat e paraardhësve tanë, por të ringjallim bëmat e tyre, thuhet në urimin e saj.
Ndërkohë edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi se këto vlera duhet të ruhen e të mbrohen dhe se, përmes bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe pranimit të dallimeve, duhet të ndërtohet një shoqëri e drejtë, ku çdo qytetar vlerësohet njësoj.
“Kjo festë na rikujton vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe e drejtë, liria, solidariteti, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa. Detyrimi ynë është ta ruajmë me respekt kujtimin e të gjithë atyre që luftuan dhe u flijuan për lirinë, ndërsa guximin e tyre ta shndërrojmë në përgjegjësi, unitet dhe përkushtim ndaj zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit dhe së ardhmes evropiane të vendit tonë”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit.
“Paraardhësit tanë luftuan për të fituar shtetin e tyre, ndërsa detyra jonë historike është që të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë në Maqedoni. Respekti për luftëtarët e rënë nuk duhet të mbetet vetëm në përkujtimet solemne, por duhet të shndërrohet në përgjegjësi për shtetin, zhvillimin e tij dhe të ardhmen e qytetarëve. Brenda saj ka kryengritës që e dinin se ishin më të dobët se forca me të cilën përballeshin. Ka njerëz që e vazhduan luftën edhe pasi brezi i mëparshëm ishte mundur. Kishte një shpresë të madhe që përcillej nga prindi te fëmija, në një kohë kur nuk ekzistonte një shtet përmes të cilit ky besim mund të bëhej realitet”, deklaroi kryetari i LSDM- së, Venko Filipçe.
11 Tetori simbolizon aspiratat e popullit maqedonas për liri kombëtare dhe shoqërore, si dhe për krijimin e një shteti sovran dhe të pavarur.
Në shënim të kësaj dite, delegacione nga Kabineti i Presidentit, ministra dhe përfaqësues të partive të shumta politike vendosën lule të freskëta pranë përmendoreve kushtuar luftëtarëve dhe heronjve të luftës antifashiste në Kumanovë, Prilep dhe Shkup, në nderim të të gjithë atyre që luftuan për liri.
REXHEP QAMILI
