Maqedoni

Përmbytjet, ditë zie në Maqedoni

08.08.2016 10:28

Qeveria ka shpallur 8 gushtin ditë zie, për nder të viktimave që humbën jetën gjatë vërshimeve të fundit në Shkup...

Gjithashtu, është vendosur që familjeve të viktimave t’u jepet një dëmshpërblim prej 5000 euro, si edhe të ngritet një komision për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, e më pastaj të bëhet kompenzimi i tyre.
 
Në vendet e goditura nga përmbytjet është shpallur gjendje e jashtëzakonshme 15 ditore. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është e angazhuar që pajisjet e tërësishme, nga të gjitha rajonet në vend, t'i vendosë nën dispozicion të rajoneve të krizës, ndërsa komunave të cilat disponojnë me vakum cisterna u rekomandohet t'ua lënë në dispozicion Qytetit të Shkupit.
 
"Qeveria e angazhoi Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim menjëherë të bëjë angazhim të mekanizmave ndërtimore shtesë (ekskavatorëve dhe kamionëve), përmes marrëveshjeve të lidhura  për shfrytëzim të mekanizmave ndërtimore nga firmat private dhe menjëherë të dërgohen dhe vendosen në funksion në rajonet e krizës", thuhet në kumtesë.
 
Është sjellë vendim për ndarjen e naftës për nevojat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, NP "Rrugët e Maqedonisë", Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
 
Është konkluduar që Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore të bëjë sanimin e qarkores e cila u dëmtua nga moti i lig.
 
"Në kontekst të vlerësimit më efikas dhe më të shpejtë  të dëmeve të bëra, ndërsa me qëllim të formimit të numrit më të madh të komisioneve për vlerësim të dëmeve, Qeveria i angazhoi  institucionet shtetërore të delegojnë njerëz të cilët do të vendosen në funksion të komisioneve komunale për vlerësim të dëmeve", thuhet në kumtesën nga Qeveria.
 
Gjatë ditës, Qeveria do të mbajë edhe një seancë në të cilën sërish do të shqyrtohet situata momentale dhe pritet të konfirmohen masa dhe konkluzione të reja.
 
FARIJE DAUTI BAKIU