Maqedoni
Lista e zgjedhësve: Janë paraqitur afër 10% votues të dyshimtë
09.08.2016 16:00
Paraqitja e votuesve të dyshimtë për të kthyer të drejtën e votës po shkon me rritëm të ngadalësuar...

Nga gjithsej 39 mijë e 502 votues, janë paraqitur më shumë se 3 mijë e 400 persona, apo afër 10% nga numri total. KSHZ është duke përpunuar 65 prej tyre.
Paraqitja e votuesve të dyshimtë do të përmbyllet më 19 gusht. Kjo do të vlejë edhe për votuesit që vijnë nga zonat e përmbytura, rrethinat e Shkupit dhe malësisë së Tetovës, të cilët pas katastrofës mund të mos kenë edhe dokumente identifikimi për t’u paraqitur.
Nga KSHZ thonë se për momentin nuk ka përjashtime për votuesit e dyshimtë të këtyre hapësirave, pasiqë ligji nuk parashikon një gjë të tillë.
“Paraqitja e votuesve të dyshimtë do të zgjasë deri më 19 gusht për gjithë votuesit që figurojnë në listën e dyshimtë. Këtu përfshihen edhe personat e zonave të përmbytura. Ligji nuk parashikon vazhdim të afatit të paraparë. Ne vetëm zbatojmë ligjin që kanë miratuar katër partitë politike dhe më pas kuvendi. Në rast se kuvendi sjell vendime të reja ne do t’u përmbahemi atyre”, thuhet nga KSHZ.
Në listën e votuesve të dyshimtë që KSHZ publikoi më 25 korrik, fugurojnë edhe emra të personave nga komuna e Gazi Babës, pjesë e së cilës është edhe Hasanbegu që e pësoi më së rëndi.
Nuk përjashtohet as komuna e Haraçinës, por edhe rrethinat e Tetovës.
Personat të cilët deri në përmbyllje të këtij afati nuk paraqiten u rrezikohet e drejta e votës. Ata mund të shlyhen nga lista e zgjedhësve.
Të drejtën për të votuar mund ta kthejnë para zgjedhjeve gjatë kontrollit publik.
MERAL ISMAILI
