Maqedoni
Kërçovë: BFI reagon ndaj uzurpimit të pronës së vakëfit
09.08.2016 16:38
BFI ka reaguar sot ndaj uzurpimit të pronës së saj në hyrje të Kërçovës e cila ndodhet në procesin e denacionalizimit që nga viti 2001...

BFI ka reaguar sot ndaj uzurpimit të pronës së saj në hyrje të Kërçovës e cila ndodhet në procesin e denacionalizimit që nga viti 2001 së bashku me pronat tjera që u morën 60 vite më parë nga pushteti monist.
Në një konferencë shtypi, të mbajtur sot në hapësirat ku ka filluar ndërtimi i një objekti që ndodhet pranë magjistrales në hyrje të Kërçovës, përfaqsuesit e BFI-së kanë shprehur revoltën kundër uzurpimit të pronës së tyre prej 24 mijë metër katrorëve, të nacionalizuar 60 vite më parë nga komisioni agrar komunist.
Muhamer Veseli, këshilltar i kryetarit të BFI-së, tha se muftinia e Kërçovës ka parashtruar kërkesë për denacionalizimin e pronave të veta, që nga viti 2001, por në vend që prona e vakëfit ti këthehet pronarit konform ligjit, ajo përvetsohet padrejtësisht nga palët e interesuara në kundërshtim me ligjin e denacionalizimit.
Kjo që ndodh me këtë parcelë, është një vepër penale klasike, sepse ligji për denacionalizim është shumë decid, nënvizon drejtori i sektorit të vakëfit pranë BFI-së, Driton Dikena.
Ndërkaq drejtori i sektorit fetaro-arsimor Jusuf Zimeri, duke u mbështetur në parimet fetare islame, kërkoi nga institucionet dhe investitori që të respektojnë të drejtën ligjore të BFI-së mbi këtë pronë e cila është vakëf dhe të mos bëhen pjesë e padrejtësive të cilat janë të dënueshme edhe ligjërisht edhe fetarisht.
Përfaqsuesit e BFI-së, kërkuan nga prokuroria dhe organet tjera të drejtësisë, ndërprerjen e punëve ndërtimore, dhe këthimin e pronës në bazë të normativës ligjore për procesin e denacionalizimit.
SHABAN DALIPI
