Maqedoni

"Magbeth" i Teatrit shqiptar të Shkupit sonte në "Verën e Ohrit"

11.08.2016 09:27

Teatri shqiptar - Shkup do të jetë pjesëmarrës në "Verën e 56-të të Ohrit" me Tragjedinë e Shekspirit "Magbethi" në regji të Diana Dobrevas nga Bullgaria...

Për shkak të kushteve të paparashikueshme të motit, shfaqja në vend se në Sarajin e Poshtëm do të luhet në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë "Grigor Përliçev", me fillim prej orës 21.
 
Në konferencën e djeshme për shtyp u theksua se publiku mund ta kuptojë se pse pikërisht me këtë shfaqje të "Magbethit" Teatri shqiptar e shënoi 65-vjetorin e themelimit.
 
"Ajo që është shumë e rëndësishme është që e njohëm Diana Dobrevan, propozimi që të punohet "Magbethi" ishte i saj dhe na vjen mirë që si produksion e pranuan propozimin e saj dhe që ky bashkëpunim rezultoi me një produkt të tillë", tha Anita Latifi nga IP Teatri Shqiptar - Shkup.
 
Regjisorja Dobreva theksoi se shfaqja e saj më e re është rezultat i përshtypjeve që tek ajo i lënë veprat dramatike në të cilat trajtohen personazhe të fuqishme femërore.
 
"Ishte shumë interesant që Shekspiri të punohet në gjuhën shqipe. Aspak nuk ishte e lehtë, por është mjaft interesant pasi që vlerësoj se gjuha shqipe është mjaft magjike për skenën, i jep një nuancë misterioze veprës", tha ajo.
 
Për "Magbethin" tha se është tekst aktual i cili ka qenë i tillë që para krijimit të tij, jam e bindur se ashtu do të mbetet, siç theksoi, deri në fund të botës.
 
Teuta Ajdini Jegeni, e cila e interpreton rolin e Lejdi Magbethit, tha se të luhet roli i manipulatorëve më të mëdhenj në historinë e dramaturgjisë botërore është realizim i ëndrrës së secilës aktore.
 
"Që të luhet ky rol janë të nevojshëm tri komponentë të cilët duhet t'i posedosh si aktor - përvojë të madhe, angazhim të jashtëzakonshëm dhe përkushtim ndaj rolit dhe çfarë është më e rëndësishmja - regjisor të mirë pas vetes. Për fatin tim mendoj se i kisha të gjithë këta komponentë, kështu që mendoj se doli një shfaqje mjaft e mirë", tha Jegeni, duke i bërë thirrje publikut të teatrove të vijnë dhe ta shohin performancën e tyre skenike të veprës së madhe dramatike të Shekspirit, për të cilën është mundësuar edhe përkthimi në gjuhën maqedonase./Mia