Maqedoni
Qeveria vendosi për dëmshpërblim me paradhënie, Kuçi fton për bashkëpunim me ekipet për vlerësim
11.08.2016 16:05
Qytetarët e prekur nga vërshimet në rajonin e Shkupit do të marrin një pjesë të dëmshpërblimit me paradhënie...

Vendimi është marrë dje në seanëcën e Qeverisë, informoi vetë kryeministri Emil Dimitriev. Sipas tij, për këtë qëllim do të ndahen 1,5 milionë euro.
Ndërkaq, Ministri i ekonomisë, Driton Kuçi, njoftoi se ekipet për vlerësim janë në terren dhe punojnë në verifikimin e dëmeve.
“Për të gjitha rajonet e prekura nga fatkeqësia e ndodhur më gjashtë gusht, janë formuar komisionet dhe në suaza të kësaj ka edhe grupe punuese të cilët po punojnë në terren. Këto komisione po funksionojnë, të strukturuara më mirë, në lagjet e Hasanbegut dhe në lagjen fqinje, si dy lagje, për të cilat kemi konstatuar se janë më të goditura nga vërshimet në fjalë”, tha Driton Kuçi, ministër i ekonomisë.
Kuçi ftoi qytetarët që të dokumentojnë me fotografi çdo dëm dhe të bashkëpunojnë me ekipet e verifikimit të dëmeve.
“Kërkojmë nga qytetarët që me qetësi t’i presin dhe të vlerësojnë çdo detaj i humbur, i zhdukur apo i shkatëruar. Kërkj nga banorët që të fotografojnë të gjitha dhomat dhe gjendjen faktike”, tha Driton Kuçi, ministër i ekonomisë.
Vlera e dëmeve do të kumtohet nga Komisioni në nivel qeverie i udhëhequr nga Ejup Halimi. Kjo do të ndodh pas grumbullimit të të dhënave nga terreni.
Ajo që dihet deri tani është se në Njësitin për informata dhe komandë janë regjistruar mbi 60 paraqitje të qytetarëve të cilët kanë paraqitur hapësira, automjete dhe toka të përmbytura.
Me kërkesë të këtij njësiti policia e Shkupit ka fotografuar 69 automjete të dëmtuara nga vërshimet në rajonin e Gazi Babës.
Agjencia për ushqim dhe veterinari, nga ana tjetër, fton të gjithë blegtorët dhe pronarë të kafshëve që të paraqesin çdo kafshë të ngordhur ose të humbur, tek ata ose te veterineri amë.
SHPËTIM NUREDINI
