Botë
Tension në kufi, Ukraina në gjendje gatishmërie
12.08.2016 14:23
Ushtria ukrainase është në gatishmëri të lartë përgjatë kufirit “de facto” me Krimenë dhe rebelët në lindje të vendit...

Tensioni i lartë pasoi akuzat e Moskës së Ukraina po kryen sulme të armatosura në Krime.
I dërguari i Ukrainës në OKB i kërkoi Moskës që të paraqiste prova për këtë akuza, ndërsa shtoi se Rusia ka dërguar 40 000 trupa në kufirin mes Ukrainës dhe Krimesë. Analistët mendojnë se i gjithë aparati shtetëror rus vazhdon të dërgojë mesazhe për sulmet e pretenduara të Ukrainës në Krime, territor i aneksuar nga Moska në vitin 2014, duke krijuar shkakun perfekt për një përgjigje ushtarake ndaj Kievit.
Është pikërisht kjo që trumbeton edhe Ukraina, ndërsa zyrtarë të saj thonë se Rusia po përpiqet që të shkaktojë një përleshje të armatosur për të vazhduar axhendën e saj ushtarake. Shërbimi i sigurisë ukrainas SBU tha se gjendja e gatishmërisë në kufi është ngritur në shkallën më të lartë për shkak të tensionit në kufirin administrativ me Krimenë dhe po ashtu në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut. Po në kuadër të tensiont në rajon, ushtria ruse zhvilloi manovra detare dhe tokësore në Krime, një mesazh i qartë kërcënimi për Ukrainën.
Përleshjet sporadike vazhdojnë në lindje mes separatistëve pro rusë dhe Ukrainës, pavarësisht armëpushimit që pretendohet se është në fuqi. Moska dhe Kievi akuzojnë njëri-tjetrin për destabilizimin e Ukrainës që prej muajsh sheh një gjendje të papranushme status kuoje në Krime dhe lindje të saj, diçka që diplomacia nuk ka mundur që ta zgjidhë./Top Channel
