104 vjetori i çlirimit të Shkupit, kurora lulesh te përmendorja e Hasan Prishtinës
Sot u shënua edhe 104 vjetori i Çlirimit të Shkupit...

Sot u shënua edhe 104 vjetori i Çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, dhe në 83 vjetori i atentatit ndaj prijësit të kësaj kryengritjeje, Hasan Prishtina.
Me këtë rast një delegacion i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe Mehmet Prishtina, vunë kurora lulesh para përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup.
Kryetari i Shoqatës së Historianëve Skender Asani, me këtë rats ka vlerësuar se “Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 ishte ngjarja e veçantë, sepse ishte me artikulim të qartë politik që deri atëherë nuk kishte ndodhur me kryengritjet e mëparshme.
Vitet 1912-1933 janë vite kur Hasan Prishtina zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike, diplomatike dhe arsimore kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare dhe jashtë saj”. Sipas tij, këto data janë momente frymëzimi edhe për gjeneratat e ardhshme, që të veprojnë në përputhje me aspiratat shekullore kombëtare të shumicës së shqiptarëve gjithandej trojeve etnike.
Ndërsa, Memet Prishtina, pasardhës i familjes së Hasan Prishtinës, tha se prania e kësaj figure historike me këtë përmendore në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Shkup, reflekton shqiptarizëm gjithandej trojeve shqiptare.
Më 12 gusht 1912, mijëra kryengritës shqiptarë çliruan Shkupin, me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, e shumë të tjerë. Kjo ngjarje madhore i dha shtytje përfundimit të procesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që përfundoi me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
