Maqedoni
PPS merr në dorë protestat në qendër, Zhernovski: Gruevski porositi dhunimin e komunës
16.08.2016 16:42
Prokuroria Publike Speciale sërish mori në pyetje kreun e Komunës Qendër, Andrej Zhernovski...

Kësaj here për një rast të ri të PPS lidhur me sulmin dhe dëmtimin e objektit të Komunës qendër dhe porositjen për të sulmuar atë fizikisht gjatë protestave të dhunshme të qershorit të vitit 2013.
Pas angazhimit të PPS-së për zbardhjen e këtij rasti, Zhernovski u shpreh optimist se fajtorët do të dalin para drejtësisë.
“Që sot edhe më shumë besoj se drejtësia do t’i arrijw të gjithë. Duhet të përgjigjen jo vetëm kriminelët por edhe dhunuesit. Një shembull i tillë është e qartë se është Nikolla Gruevski, i cili i frustruar nga humbja zgjedhore në Komunën Qendër, nga pozocioni i kryeministrit porosit demolimin e komunës, e cila në atë moment drejtohet nga opozita, dhe porositi shuplaka dhe kusuritje fizike me mua”, tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Zhernovski akuzoi Prokurorinë publike, e cila për tre vjetë nuk e zbardhi këtë rast. Ai tha se ka paraqitur prova të mjaftueshme për të dëshmuar se protesta e dhunshme ka qenë e porositur nga kreu i VMRO DPMNE-së.
”Ajo që dorëzuam si materiale dëshmuese është dëshmi e qartë se në të gjitha ato protesta të dhunshme merrnin pjesë njerëz të afërt me VMRO DPMNE-në, të cilët janë anëtarë dhe të rekrutuar nga ndërmarrjet publike”, tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Në njërën nga bisedat e ashtuquajtura si bombat e opozitës, dëgjohet një bashkëbisedim mes ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ku të dy bashkë dakordojnë skenar se si ndonjë protestues të sulmojë fizikisht kreun e Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
Ndryshe, një ditë më parë, prokurorja speciale Katica Janeva paralajmëroi aktivitet të shtuar dhe fluks më të madh dëshmitarësh që do të frekuentojnë këtë prokurori për të sqaruar rrethanat për të gjitha procedurat e hapura gjatë kësaj periudhe.
SHPËTIM NUREDINI
