Maqedoni
Vetëm 6410 votues të kontestuar paraqiten në KSHZ, Prekopuca: Fajin e kanë edhe partitë
17.08.2016 16:25
Dy ditë para përmbylljes së afatit të paraqitjes së votuesve të dyshimtë, numri I qytetarëve që kanë aplikuar arrin vetëm në 6 mijë e 410...

Kjo nuk përmbush pritjet e KSHZ-së edhe përkundër aktiviteteve që janë ndërmarrë. Nënkryetari I KSHZ-së Rexhep Prekopuca një pjesë të fajit i hedh partive politike të cilat nuk kanë dhënë kontributin maksimal në senzibilizimin e qytetarëve për të rikthyer të drejtën e votës.
“Thënë sinqerisht kjo nuk i përmbush pritjet e KSHZ-së. Ne kemi menduar se do të kemi paraqitje shumë më të madhe, mirpo mendoj se partitë politike kanë ngecur në këtë aspekt sepse ne prisnim që edhe ato të japin kontributin e tyre nëpërmjet infrastrukturës së tyre që të nxisin qytetarët të paraqiten”, tha Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së.
KSHZ do të mblidhet të hënën për të konstatuar numrin e të paraqiturve, pasi me ndryshimet e fundit në kodin zgjedhor nuk ka hapësira juridike për vazhdim të afatit të paraqitjes. Kjo do të ishte e realizueshme vetëm me ndryshime të kodit zgjedhor.
“Afati për paraqitje është paraparë me ndryshimet më të reja të kodit zgjedhor dhe sipas ndryshimeve të atij kodi zgjedhor afati për paraqitje ka qenë 25 ditë. Tani varet nëse kuvendi e sheh të arsyeshme që të zgjasë afatin e paraqitjes, kjo do të sjellë ndryshime të reja”, shtoi Prekopuca.
Kuvendi nis punën pas pushimeve vjetore nga e hëna, edhe pse për momentin mbretëron heshtje për ndryshime të mundshme.
Ndërkohë alternativë tjetër votuesve të dyshimtë për t’u rikthyer në listën e zgjedhësve u mbetet kontrolli publik 10 ditë para zgjedhjeve.
MERALE ISMAILI
