Maqedoni
A del Maqedonia nga kriza politike?! Bilalli: Shtohet doza e pesimizmit
17.08.2016 16:55
Vaket vrulli për zbatimin e marrëveshjes për tejkalimin e krizës politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare...

Procesi i paraqitjes së votuesve të kontestueshëm po dështon pasi, dy ditë para skadimit të afatit, vetëm 15% e tyre e kanë paraqitur prezencën në KSHZ-së.
Sipas ekspertëve juridik kjo zgjidhje edhe ashtu ka qenë antikushtetuese. Pasi neni 22 i kushtetutës thotë: “çdo qytetar sapo i mbush 18 vite jetë fiton të drejtën e zgjedhjes.”
“Problemi i parë është se në mënyrë drastike e shkelin kushtetutën nëse shtetasit të Maqedonisë ia imponojnë që ai të paraqitet ose ta paraqesë prezencën e tyre. Kështuqë çdo padi që mund të shkojë në gjykatat e rregullta e që mund të përfundojë në gjykatën e Starsburgut, pala është në të drejtë”, tha Mersel Bilalli, analist.
Marrëveshja politike nuk e zgjidh as çështjen e mediave, thotë Bilalli sipas tij komisioni ad hoc për mbikqyrje të mediave, akoma nuk e ka idenë se si mund të funksionojë, aq më keq kur anëtarët i propozojnë partitë politike.
“Kur të vijë çështja e sanksionimit të shkelësve të parimeve të fushatës nuk jam i sigurtë se ky organ mund të jetë funksional”, shtoi Bilalli.
Gjithsesi, përgjigjen, nëse janë plotësuar kushtet ose jo për zgjedhje të parakohëshme parlamentgare duhet ta japin kryetarët e katër partive politike, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës, në fund të muajit gusht.
I pari që shprehu pesimizëm për një vlerësim pozitiv ishte kreu i PDSH-së Mendu Thaçi. Sipas Thaçit, përveç lëshimeve teknike, mungon edhe vullneti politik për zbatimin e reformave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, brenda këtij viti.
Mirëpo, nuk ndan këtë bindje kreu i BDI-së. Sipas Ahmetit kriza në vend përmbyllet vetëm nëpërmjet të mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshjrëse, të besueshme dhe demokratike, prandaj ai beson që vlerësimi në fund të muajit gusht në lidhje me përmbushjen e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve do të jetë pozitiv.
SHPËTIM NUREDINI
