Botë

Lideri i opozitës turke: Hetimet për grusht shtetin, “gjueti shtrigash”

18.08.2016 12:19

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Turqi, Kemal Këllëçdaroglu, nuk i ka kursyer kritikat në adresë të mazhorancës...

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Turqi, Kemal Këllëçdaroglu, nuk i ka kursyer kritikat në adresë të mazhorancës për vonesa në propozimin e kandidaturave të anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Hetimor për grushtin e shtetit të 15 korrikut.
 
Ai tha se opozita ka qenë kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe kalimin e kompetencave në duart e qeverisë.
 
Hetimet ndaj personave të dyshuar si të implikuar në tentativën për grushtin e shtetit janë shndërruar në një gjueti shtrigash të paprecedentë në historinë e vendit. 
 
“A duhet të dalin para gjykatës personat e dyshuar si të përfshirë në tentativën për grushtin e shtetit? Sigurisht që duhet të hetohen! Por, pyetja shtrohen si do të hetohen? Duket qartë se hetimet janë shndërruar në përpjekje për të arrestuar këdo. Mjafton që dikush të ketë antipati ndaj një personi të caktuar dhe me një denoncim i thjesht ai person është pjesëtar i FETO-s, personi i denoncuar arrestohet menjëherë. Ka situata shumë të dhimbshme. Te teatrot e qytetit të Stambollit, një  teknik dhe gjashtë artistë janë arrestuar me akuzën se janë pjesë e kësaj organizate. Duke përfituar nga rasti kanë hequr nga puna dhe 20 artistë të tjerë. Arsyeja?! Për performancë të dobët. Dhe mbi ç’bazë është matur performanca e tyre kur të gjitha pjesët janë vënë në skenë në salla të mbyllura. Është e palogjikshme dhe e turpshme për Turqinë që duke përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme të arrestohen gazetarët, artistët dhe shumë të tjerë të humbasin vendin e punës”,- deklaroi lideri i opozitës turke, Kemal Këllëçdarog.
 
Një tjetër çështje e prekur prej tij ishte dhe arrestimi i dhjetëra gazetarëve të akuzuar për përfshirje në grushtin e shtetit dhe akuza e vetme që u bëhet janë lavdet për lëvizjen e shpallur terroriste. 
 
“Janë arrestuar gazetarë dhe dhjetëra gazeta janë mbyllur. Është e pamundur që këtë t’ia shpjegosh botës demokratike. Dhe për çfarë akuzohen? Sepse kanë mburrur apo promovuar lëvizjen Gylen. Atëherë, çfarë do të bëhet me mburrjet dhe lavdet e thëna në foltoren e parlamentit nga partia në pushtet? Ku është parë që të burgoset një gazetar në moshën 60 dhe 70 vjeçare. A nuk duhet të hetohet? Mund të hetohet. Por, mjafton që me vendim t’i ndalohet largimi jashtë vendit dhe nuk ka asnjë logjikë që të mbahet në burg. Të burgosësh gazetarët, të mbyllesh mediat do të thotë që je në të njëjtën linjë me puçistës. Ne e konsiderojmë të gabuar dhe jemi kundër arrestimit të gazetarëve”,- tha lideri i opozitës turke, Kemal Këllëçdarog.
 
Në vend është krijuar një klimë e rrezikshme. Gjykatësi është i detyruar që të urdhërojë arrestimin e personit të akuzuar nga Prokuroria. Gjykatësi thotë se “nëse nuk urdhëroj arrestimin e tij, atëherë dhe mua më shpallin pjesëtarë të organizatës. Ndaj, çdo i akuzuar arrestohet menjëherë. Prokuroria duhet të jetë e pavarur dhe puna e saj është analizimi i provave”,- theksoi lideri i opozitës.
 
BELINDA KOKA-ADEMI