Botë
Kaliforni - “Zjarri i Apokalipsit”, autoritetet: nuk mund të ndalim flakët
18.08.2016 13:21
“Zjarri i Apokalipsit” është nofka që banorët e Kalifornisë Jugore i kanë vënë furisë së flakëve që po shkrumbon vendbanimet e tyre...

“Zjarri i Apokalipsit” është nofka që banorët e Kalifornisë Jugore i kanë vënë furisë së flakëve që po shkrumbon vendbanimet e tyre, ndërsa autoritetet thonë se situata është e paprecedentë dhe vatra zjarri kaq agresive nuk mbahen mend prej vitesh.
Pavarësisht përpjekjeve kolosale prej më shumë se 24 orësh të 1300 zjarrfikësve, autoritetet lajmëruan se zjarret jo vetëm që nuk janë ndalur, por nuk ka qenë e mundur as të frenohen sadopak.
Temperaturat e larta në zonë dhe erërat e forta kanë shtyrë flakët me shpejtësi, duke bërë të pavlefshme përpjekjet njerëzore. Policia amerikane dha urdhër evakuimi për më shumë se 82 000 njerëz.
Më shumë se gjysma e tyre janë larguar nga banesat, ndërsa pjesa tjetër pret me valixhe në dorë nëse flakët do të ndalen apo jo.
Flakët kanë shkatërruar shumë shtëpi dhe gjithashtu kanë penguar ndjeshëm transportin mes Kalifornisë dhe Nevadës.
Autoritetet amerikane thanë se kur kriza të mbarojë, shumë familje do të kthehen në shtëpi dhe nuk do të gjejnë asgjë.
Nuk ka një raport për numrin e saktë të shtëpive të djegura, por zjarrfikësit thonë se janë me qindra.
