Botë

Burgjet siriane, “Amnesty International”: Rreth 18 mijë njerëz kanë vdekur nga torturat

18.08.2016 13:44

Një raport i fundit i “Amnesty International” del me shifra alarmante për torturimin e të burgosurve në burgjet siriane...

Organizata ka kryer intervista me 65 të mbijetuar të burgjeve siriane, të cilët përshkruan abuzime tronditëse në burgje dhe qendra ndalimi.
 
Qeveria siriane i ka mohuar gjithnjë këto akuza dhe thotë se nuk keqtrajton të burgosurit. Por, sipas “Amnesty International”, të paktën 17 723 njerëz vdiqën në burgjet siriane prej marsit të vitit 2011, kur nisi revolta ndaj presidentit Bashar al-Asad deri më dhjetor të vitit 2015.
 
Bëhet fjalë për 10 viktima në ditë, ose 300 në muaj. “Amnesty International” thotë se regjimi sirian ka përdorur torturën prej dekadash ndaj kundërshtarëve, por tashmë gjatë luftës civile ajo është shndërruar në një praktikë të zakonshme.
 
Amensty dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut thonë se këto akuza duhen shqyrtuar me urgjencë nga komuniteti ndërkombëtar, në veçanti nga ShBA dhe Rusia, që udhëheqin bisedimet e paqes për Sirinë.
 
Por, ekspertët, pa kundërshtuar raportin e “Amnesty International, thonë se në një kohë kur dhjetëra të pafajshëm vdesin përditë në rrugët e Sirisë nga luftimet, zor se do t’i kushtohet vëmendje burgjeve, sado dramatike qoftë situata atje.
 
Qeveri siriane gjatë luftës civile është akuzuar për shkelje shumë më të rënda sesa torturat në burgje, por ende asgjë s'është bërë për to dhe ndërsa lufta vazhdon, regjimi i Asadit ka lirinë e plotë të bëjë ç' të dojë me justifikimin e mbrojtjes së vendit.
 
BELINDA KOKA-ADEMI